19 C
New York
Sunday, May 4, 2025

Buy now

Komunat në rrezik të mbesin pa buxhet për vitin 2026 – Korniza Afatmesme e Shpenzimeve ende e pa miratuar

- Advertisement -

Komunat e Kosovës rrezikojnë të hyjnë në vitin 2026 pa një planifikim të rregullt buxhetor, për shkak se Korniza Afatmesme e Shpenzimeve (KASH) për periudhën 2026–2028 ende nuk është miratuar, ndonëse afati ligjor për miratimin e saj ka kaluar më 30 prill 2025.

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) i ka bërë thirrje institucioneve qendrore që të procedojnë urgjentisht me vendimmarrjen në Komisionin e Granteve dhe të dërgojnë Qarkoren e Parë Buxhetore në komunat e vendit brenda afatit ligjor, që është data 15 maj.

Sipas Ministrisë së Financave, vonesa në miratimin e KASH-it është pasojë e mungesës së anëtarit të Komisionit të Granteve – konkretisht, kryetarit të Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa – për shkak të moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Mirëpo, kjo arsye është hedhur poshtë nga drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi.

“Komisioni i Granteve përbëhet nga nëntë anëtarë dhe mungesa e njërit prej tyre nuk e bllokon funksionimin e tij. Për më tepër, KASH nuk ka nevojë për votim në Kuvend – dërgohet vetëm për informim. Procesi mund dhe duhet të vazhdojë”, deklaroi Ibrahimi për Telegrafin.

Ai paralajmëroi se kjo situatë rrezikon të dëmtojë rëndë procesin buxhetor në nivel lokal, pasi pa KASH nuk mund të përgatitet Qarkorja e Parë Buxhetore – dokumenti udhëzues për komunat për hartimin e buxhetit të vitit pasues. Vonesat në këtë fazë, sipas tij, rrezikojnë të çrregullojnë të gjithë ciklin buxhetor, të cënojnë transparencën institucionale dhe të kufizojnë përfshirjen qytetare në procesin e planifikimit.

“Duke marrë parasysh se viti 2025 është gjithashtu vit zgjedhor në nivel komunal, është jetike që institucionet qendrore të veprojnë pa vonesë”, theksoi kryetari i AKK-së.

Të ngjashme

Të fundit