Me këtë rast Komuna e Rahovecit ka bërë të ditur se do të bëhet një vizitë në Shtëpinë-muze të Ukshin Hotit, duke filluar nga ora 11:00.

‘’Njoftojmë veprimtarët e çështjes kombëtare, përfaqësuesit e pushtetit lokal e qendror, si dhe të interesuarit e tjerë se, me rastin e 24 – vjetorit të zhdukjes së profesorit, politologut dhe luftëtarit të paepur të çështjes kombëtare, Mr. Ukshin Hoti, do të bëhet një vizitë në Shtëpinë – muze të Ukshin Hotit, në Krushë të Madhe’’, njoftimi i plotë nga Komuna e Rahovecit.

Kujtojmë se Ukshin Hoti është zhdukur më 16 maj të vitit 1999 në rrethana ende të pandriçuara.

Më 16 maj të vitit 1999 pas lirimit dhe pas daljes nga qelia e burgut të Dubravës, zhduket nga polica serbe pa lënë gjurmë.

Për herë të fundit ishte arrestuar në vitin 1994 nga policia serbe me akuzën e ushtrimit të veprimtarisë armiqësore kundër Jugosllavisë dhe për pjesëmarrjen e tij në lëvizjen për Republikën e Kosovës, me ç’rast ishte dënuar 5 vjet burg.

Për aktivitetin e tij atdhetar ishte arrestuar disa herë nga regjimi serb i Titos dhe i Milosheviqit.

Shokët e burgut, ata që kanë shpëtuar nga masakra e Dubravës, disa ditë më vonë, kanë treguar se Ukshini ishte liruar nga burgu më 16 maj, ditën e diel, ditë që nuk praktikohej lirimi i të burgosurve.

Prej asaj kohe e deri tani, veprimtari i madh i çështjes kombëtare shqiptare, filozofi, shkrimtari, publicisti, atdhetari i përkushtuar, Ukshin Hoti edhe sot e kësaj dite konsiderohet ende i zhdukur.

https://m.facebook.com/rahoveckomuna/posts/498056019112807