Ka dy vite që gjuha rome është bërë zyrtare në Prizren.
Mirëpo pavarësisht kësaj, në këtë komunë tani nuk ka asnjë përkthyes të punësuar.
E kjo po i shkakton vështirësi këtij komuniteti.
“Duke e ditur që edhe dy pushtetet, lokale dhe qendrore janë në parti të ndryshme edhe ndoshta bashkëpunimi final nuk ka arritur, por nga ky mosbashkëpunim po pëson komuniteti rom”, tha Fatmir Menekshe, drejtor i organizatës “Durmish Aslano”
Menekshe më tutje theksoi se ky komunitet është në pritje për të aplikuar në këtë pozitë.
“Nuk ka mungesë të përkthyesit, por ka mungesë ose pritje nga komuniteti që të hapet konkursi, të aplikojmë dhe të pranohen si përkthyes”, u shpreh ai.
Megjithatë nga Komuna e Prizrenit bëjnë të ditur se kanë kryer çdo procedurë sa i përket këtij institucioni dhe se po presin nga qeveria një përgjigje pozitive.
“E kanë vlerësua në buxhetin e vitit 2024 si mundësi edhe e kanë adresu në drejtim të Qeverisë së Kosovës. Mirëpo nga informacionet deri më sot që flasim, nga qeveria e Kosovës nuk është kthyer përgjigje pozitive se komuna e Prizrenit mund të hapë procedurat e rekrutimit edhe të një punëtori në këtë fushë, ndaj jemi në pritje”, tha Ymer Berisha, udhëheqës i Njësisë për Komunikim me Publikun në Komunën e Prizrenit
Tëvë1 për këtë çështje ka kontaktuar Ministrinë e Financave, mirëpo deri në publikimin e kronikës nga ky institucion nuk është kthyer përgjigje.
Përmes një bashkëpunimi mes komunës së Prizrenit dhe organizatës Organizatës Ndërkombëtare për Migracion “IOM’’, gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, ka qenë i kontraktuar një përkthyes i cili ka përkthyer dokumente të nevojshme për këtë komunitet.