Komuna e Prishtinës rifilloi sot punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, me gjithë ndalimin dy herë të punimeve nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, duke i kërkuar Komunës që lënda për pajisje me leje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM) të plotësohet, raporton EO.

Me rastin e rifillimit të punëve në Sheshin “Xhorxh Bush”, i pranishëm ishte edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

U panë edhe zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Para disa ditësh, Rama, ka thënë se ndalimi i punimeve është i paligjshëm e se “arsyetimet për këtë ndërhyrje janë të pabazuara nga institucionet që duhet të jenë të pavarura e që po përdoren për qëllime politike”.Sipas tij, ky veprim është ndërhyrje e qëllimshme, e cila cenon të drejtën e Prishtinës për zhvillim të qëndrueshëm urban dhe kulturor.