Komuna e Prishtinës ka reaguar pas deklaratave që gjatë ditës së premte iu bënë nga Partia Demokratike.
Gjatë ditës së sotme, përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës kanë bërë akuza tërësisht të pabaza dhe me qëllime puro politike për të penguar një proces të transformimit të Kryeqytetit, Planin Rregullues për Lagjen Kalabria. Veprime të tilla ka pasur edhe në të kaluarën kur Partia Demokratike e Kosovës ka tentuar përmes sabotimit të shumë proceseve të ndalin punën tonë”, thuhet në reagim.
Prandaj, duam të sqarojmë për publikun, si vijon:
Plani Rregullues për Lagjen Kalabria ka kaluar nëpër të gjitha procedurat e parapara ligjore për dokumentet e tilla. Dokumenti është hartuar nga një grup punues me ekspertë të drejtorive përkatëse, përfshirë edhe ekspertë ndërkombëtar të planifikimit urban. Plani ka kaluar nëpër periudhën 30 ditore të konsultimeve publike me banorët e Lagjes Kalabria për të informuar ata rreth detajeve të Planit si dhe për të marrë parasysh sugjerimet e tyre.
Janë mbajtur shumë konsultime publike grupore me banorë dhe pronarë të tokave në Lagjen Kalabria. Po ashtu, kemi pritur në dhjetëra raste qytetarë individual të Lagjes Kalabria të cilët kanë kërkuar informata dhe detaje rreth Planit. Pra, përpos takimeve publike grupore, dera e institucionit të Kryeqytetit ka qenë e hapur gjatë gjithë procesit. Drejtorët përkatës kanë qenë në dispozicion dhe kanë takuar të gjithë banorët e Lagjes që kanë kërkuar informata për këtë çështje.
Përveç rregullimit të shumë problemeve që kanë banorët e Lagjes, ky Plan parasheh rritjen e vlerës së ndërtimit në pronën komunale. Kjo është bërë në mënyrë tërësisht transparente dhe ligjore. Qëllimi i ngritjes së kësaj vlere të ndërtimit është që investitorët potencial që shprehin interes për investim në këtë pronë komunale, do të kushtëzohen me ndërtimin e Unazës së Kryeqytetit dhe Fshatit Olimpik. Pra, rritja e vlerës së ndërtimit në këto prona do të sigurojë ndërtimin e Unazës së Kryeqytetit dhe Fshatit Olimpik pa e ngarkuar buxhetin e Kryeqytetit dhe pa ngarkuar qytetarët. Unaza e Kryeqytetit kap një vlerë prej rreth 350 milion Euro (rreth 150 milion eksproprijim të pronave private dhe rreth 200 milion ndërtim) ndërsa Fshati Olimpik rreth 200 milion Euro.
Pra, me miratimin e këtij Plani Rregullues mund të financohen këto dy projekte madhore të Kryeqytetit që arrijnë vlerën totale rreth 550 milion Euro.
Prandaj, sigurojmë qytetarët se miratimi i këtij Plani Rregullues nuk do të dëmtojë pronën publike, nuk do të rëndojë qytetarët e buxhetin e Kryeqytetit, por përkundrazi do të rezultojë me ndërtimin e Unazës së Kryeqytetit dhe Fshatit Olimpik e cila do të jetë në dobi të qytetarëve të gjithë Republikës së Kosovës. Kjo masë është ndërmarrë për shkak se ndërtimi i Unazës së Kryeqytetit është duke u vonuar tash e sa kohë si rrjedhojë e mungesës së mbështetjes dhe bashkëpunimit nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe nevojës për ndërtimin e Fshatit Olimpik