Sot është mbajtur një takim zyrtar ndërmjet përfaqësuesve të lartë të Kryeqytetit dhe përfaqësuesve të Sindikatës së Punëtorëve të Ndërmarrjes Rajonale “Pastrimi”, ku janë diskutuar kërkesat e parashtruara nga sindikata.
Komuna e Prishtinës ka dhënë detaje për takimin në fjalë.
“Njëra ndër kërkesat kryesore – kontrata për menaxhimin e mbeturinave sipërfaqësore, në vlerë prej 1.5 milionë euro, tashmë është nënshkruar nga të dyja palët.
Sa i përket kërkesave të tjera, përfshirë pagesën retroaktive për pesë muaj dhe nënshkrimin e kontratës bazike për shërbime të rregullta të grumbullimit të mbeturinave në territorin e Komunës së Prishtinës, është propozuar që të shqyrtohen mundësitë për zgjidhje brenda kompetencave ekzekutive dhe legjislative të Kryeqytetit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Lidhur me zgjidhjen e statusit të ndërmarrjes, përfaqësuesit e ndërmarrjes janë njoftuar se është zhvilluar një takim i thirrur nga Kryetari i Kryeqytetit, z. Përparim Rama, me kryetarët e komunave tjera aksionare, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të inicuar menjëherë procedurat e decentralizimit të ndërmarrjes, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Kryeqyteti mbetet i përkushtuar për të trajtuar me seriozitet dhe përgjegjësi të gjitha çështjet që ndërlidhen me funksionimin e ndërmarrjes dhe mirëqenien e punonjësve të saj. Prandaj, konsiderojmë se grumbullimi i punëtorëve të KRM “Pastrimi” para objektit të Komunës është i panevojshëm.
Ndërkohë, grumbullimi i mbeturinave në gjithë territorin e Kryeqytetit, përfshirë edhe fshatrat përreth, po vazhdon të realizohet 24/7 përmes operatorëve të kontraktuar nga Komuna e Prishtinës, si masë e menjëhershme pas situatës emergjente të krijuar së fundmi” thuhet në njoftim./