Komuna e Preshevës, e cila udhëhiqet nga Shqipërim Arifi, shkon në zgjedhje të parakohshme, kjo pasi nuk ka pasur kuorum në seancë që është paraparë të mbahet sot.
Kështu ka bërë të ditur, kryetari i Kuvendit Komunal, Sami Salihu, që pavarësisht se ka qenë afati i fundit për mbajtjen e seancës, prapë nuk ka pasur kuorum të mjaftueshëm.
“Presheva në zgjedhje të parakohshme, kjo sepse kryetari i KK të Preshevës Sami Salihu në mungesë të kuorumit ka njoftuar se sot, pavarësisht se ka qenë afati I fundit për mbajtjen e seancës së KK nuk ka patur kuorum. Andaj njofton kryetarët e grupeve të këshilltarëve se pushteti nuk i ka numrat për seancë dhe se do të shkohet në zgjedhje të parakohshme”, thuhet në mediat lokale të Komunës së Preshevës.
Tutje, është bërë e ditur se rreth 70 komuna në Serbi, si pasojë e dorëheqjes së kryetarëve, të cilët kryesisht drejtohen nga SNS-i do të shkojnë në zgjedhje të parakohshme.
Komuna e Preshevës që tre muaj nuk ka mbajtur seancë. Arsyet e dështimit të mbajtjes së seancave janë për shkak të bojkotit nga partitë opozitare , Partia për Veprim Demokratik, Partia Demokratike Shqiptare.
Ligji në fuqi parasheh që nëse për tre muaj nuk mbahet asnjë mbledhje e asamblesë, komuna shkon në zgjedhje, ose krijohet një organ i përkohshëm për gjashtë muaj.