Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi” ka ngritur dyshime se Komuna e Prishtinës në krye me Përparim Ramën po mban peng dy kamionë për mbledhjen e mbeturinave.
Në reagimin e tyre, pretendohet se këta dy kamionë po ruhen t’i jepen një kompanie private, shkruan Insajderi.
“Është e papranueshme dhe e turpshme që Komuna e Prishtinës po mban “peng”, dy kamionë për mbledhjen e mbeturinave, duke mos i vënë në funksion për qytetin. Dyshimet janë të bazuara: kjo po bëhet për t’i dorëzuar më vonë një kompanie private, e cila pritet të operojë me to. Ky është një keqpërdorim flagrant i pushtetit për interesa private, që tregon qartë prapavijën e vendimeve të Kryetarit Rama”, thuhet në reagimin e “Pastrimit”.
“Deklarata juaj, Rama, ku paralajmëroni “masa të menjëhershme dhe të ashpra ndaj kompanisë ‘Pastrimi’ për shkak të dështimit të tyre të pafalshëm dhe sabotimit të qëllimshëm”, është një përpjekje e hapur për të manipuluar opinionin publik dhe për të krijuar një krizë artificiale. Ju rikujtojmë se ndërmarrja “Pastrimi” është ndërmarrje publike që i përgjigjet Kuvendit Komunal dhe jo dëshirave të një individi. Prishtina nuk është pronë private, dhe as ju nuk mund ta trajtoni atë si të tillë”, thuhet tutje.
“Sa i përket akuzave tuaja për dëmtimin e gjashtë kamionëve, kjo nuk është e vërtetë. Në prani të kamerave të mediave të ndryshme, ne i kemi testuar dhe nuk janë ndezur dhe ju Komuna është dëshmitarë për këtë. Ne ju kemi shkruar email zyrtar që në fillim, duke ju informuar për problemet teknike të kamionëve, sepse duket se ato nuk janë testuar kur i keni blerë dhe kanë pasur probleme të tilla që nga fillimi disa probleme në sistemin elektronik të kompaktorit dhe se deri më tani, nuk keni ndërmarrë asnjë veprim kur dihet se kamionët janë pronë e Komunës dhe kushtet e kontraktimit dhe garancionit janë të lidhura nga ju. Në vend që të ndihmoni në zgjidhjen e këtij problemi, ju keni zgjedhur të gënjeni para mediave duke na akuzuar se ne i kemi dëmtuar kamionët. Kjo është e turpshme”.