Çmimi Nobel për Paqen mbetet i lidhur në mënyrë të pandashme me personin ose organizatën që e ka fituar, edhe pse medalja mund të jepet ose të dhurohet, deklaroi të premten Komiteti Norvegjez i Nobelit, një ditë pasi fituesja e vitit të kaluar ia dha medaljen e saj presidentit amerikan Donald Trump.
Udhëheqësja e opozitës venezueliane, Maria Corina Machado, ia dha medaljen të enjten Trumpit, i cili e falënderoi për gjestin, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
Shtëpia e Bardhë publikoi një foto të Trumpit dhe Machados, ku Trump mban në dorë një kornizë me ngjyrë ari ku shfaqet medalja, ndërsa një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se Trump synon ta mbajë atë.
Çmimi i Machados përfshin gjithashtu një diplomë dhe 11 milionë korona suedeze (1.19 milionë dollarë).
“Pavarësisht se çfarë mund të ndodhë me medaljen, diplomën apo shumën e parave të çmimit, ai që mbetet dhe regjistrohet në histori si fitues i çmimit është laureati origjinal,” thuhet në deklaratën e institucionit që jep çmimin.
“Në statutet e Fondacionit Nobel nuk ka asnjë kufizim për atë që një laureat mund të bëjë me medaljen, diplomën apo shumën e parave. Kjo do të thotë se një laureat është i lirë t’i mbajë, t’i japë, t’i shesë apo t’i dhurojë këto,” shtohet më tej.
Medalja dhe diploma janë simbole fizike që konfirmojnë se një individ ose organizatë është shpërblyer me çmimin, u bë e ditur nga komiteti prej pesë anëtarësh.
“Vetë çmimi – nderi dhe vlerësimi – mbetet i lidhur në mënyrë të pandashme me personin ose organizatën e përcaktuar si laureat nga Komiteti Norvegjez i Nobelit,” theksohet në deklaratë.
Komiteti, i cili në deklaratën e tij nuk iu referua me emër Trumpit dhe Machados, tha se nuk komenton deklaratat, vendimet apo veprimet e një laureati pas shpalljes së çmimit.
Nuk është hera e parë që një laureat i Nobelit ka dhuruar medaljen e tij. Në vitin 1943, fituesi i Nobelit për Letërsi, Knut Hamsun, ia dha medaljen ministrit nazist të propagandës, Joseph Goebbels.
Në vitin 2022, laureati i Nobelit për Paqen, Dmitry Muratov, e shiti medaljen e tij për 100 milionë dollarë për të mbledhur fonde për UNICEF-in, në ndihmë të fëmijëve refugjatë ukrainas.
Në vitin 2024, e veja e ish-sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annan, dhuroi medaljen dhe diplomën e tij të Çmimit Nobel për Paqen të vitit 2001 në zyrën e OKB-së në Gjenevë.






