Komisioni i Gjyqtarëve të FFK reagon ndaj gjuhës së papërshtatshme të Tahir Batatinës

- Advertisement -

 

Komisioni i Gjyqtarëve shpreh shqetësimin dhe indinjatën e thellë lidhur me përmbajtjen e mesazheve që trajneri i KF Llapi, Tahir Batatina, i ka bërë ndaj gjyqtarit tonë, Fatlum Berisha.

Pavarësisht të drejtës për të shprehur pakënaqësi apo kritika ndaj vendimeve në fushën e lojës, gjuha e përdorur në këtë rast është e papranueshme dhe i tejkalon normat etike, profesionale dhe njerëzore. Veçanërisht shqetësues është referimi që trajneri i lartpërmendur ka bërë në çështje tejet të ndjeshme personale dhe familjare, gjë që tejkalon çdo kufi të komunikimit.

Komisioni i Gjyqtarëve shpreh mbështetje të plotë dhe të palëkundur për gjyqtarin Fatlum Berisha, duke vlerësuar profesionalizmin, integritetin dhe përkushtimin e tij në ushtrimin e detyrës. Çdo përpjekje për ta cenuar dinjitetin personal apo për ta vënë nën presion përmes gjuhës së papërshtatshme është e papranueshme dhe nuk duhet të tolerohet në asnjë rrethanë.

Komisioni i Gjyqtarëve dënon fuqishëm çdo formë presioni, ofendimi apo kërcënimi ndaj gjyqtarëve, të cilët ushtrojnë detyrën e tyre me përgjegjësi dhe në përputhje me rregullat e lojës. Integriteti i gjyqtarëve është themel i funksionimit të drejtë të garave dhe si i tillë duhet të mbrohet pa kompromis.

Njëkohësisht, u bëjmë thirrje të gjithë akterëve të futbollit trajnerëve, lojtarëve dhe zyrtarëve, që të kontribuojnë në ruajtjen e një klime respekti dhe profesionalizmi, në përputhje me vlerat që futbolli ynë përfaqëson.

Komisioni i Gjyqtarëve do të vazhdojë të qëndrojë në mbrojtje të gjyqtarëve dhe të punojë për forcimin e integritetit dhe besueshmërisë së garave tona.

Komisioni i Gjyqtarëve, 18 mars, 2026

Të ngjashme

Të fundit