Një hetim i pavarur i Kombeve të Bashkuara ka arritur në përfundimin se në Rripin e Gazës është në zhvillim një “gjenocid” që nga tetori i vitit 2023.
Kush e drejton Komisionin?
Komisioni drejtohet nga Navi Pillay, një ish-gjykatëse që në të kaluarën ka kryesuar edhe Gjykatën Ndërkombëtare për Ruandën, duke kontribuar në njohjen e përdhunimit si një krim gjenocidi.
“Ne kemi arritur në përfundimin se në Gaza po ndodh një gjenocid dhe se përgjegjësia bie mbi shtetin e Izraelit”, ka deklaruar kjo juriste 84-vjeçare, me origjinë indiane, e rritur në Afrikën e Jugut të aparteidit, e cila i ka kushtuar jetën luftës kundër padrejtësisë.
Si avokate e të burgosurve politikë, Pillay ka punuar ngushtë me Nelson Mandela, i cili, pasi u zgjodh president, e emëroi atë në vitin 1995 gjyqtare të Gjykatës së Lartë. Ajo u bë gruaja e parë jo e bardhë që shërbeu në këtë pozitë në Afrikën e Jugut. Më pas, ajo shërbeu si Komisionere e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, duke qenë e vetmja që ka marrë dy mandate (2008-2014).
“Ky është një punim dy vjeçar, nuk është diçka që e kemi shpikur tani”, ka sqaruar Navi Pillay duke përshkruar metodologjinë e ndjekur në hetim “kemi shqyrtuar pamje, kemi folur me ekspertë, mjekë, dëshmitarë, fëmijë. Por, meqë nuk na lejohet të hyjmë në Izrael, ata erdhën tek ne”.
Mbi çfarë bazohet akuza dhe cilat janë provat?
Akuza për gjenocid, shpjegon raporti, bazohet në “themele të arsyeshme”: analiza i referohet ekskluzivisht përcaktimit të gjenocidit sipas Konventës për Gjenocidin, traktatit të OKB-së të vitit 1948, i miratuar pas vrasjes masive të hebrenjve nga Gjermania naziste, që e përkufizon gjenocidin si krime të kryera “me qëllim për të shkatërruar, tërësisht ose pjesërisht, një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar, si i tillë”.
Komisioni ka konkluduar se autoritetet dhe forcat ushtarake izraelite, që nga tetori i vitit 2023, kanë kryer “katër nga pesë aktet e përmendura në këtë traktat si gjenocidale”, konkretisht:
-vrasje të anëtarëve të grupit;
-shkaktim dëmesh serioze fizike ose mendore ndaj anëtarëve të grupit;
-vendosje të qëllimshme të grupit në kushte jetese që synojnë shkatërrimin fizik, tërësisht ose pjesërisht;
-vendosje të masave që synojnë parandalimin e lindjeve brenda grupit.
Në mbështetje të përfundimeve të saj, hetimi citon shembuj që lidhen me shkallën e vrasjeve, bllokimin e ndihmave humanitare, zhvendosjet e detyruara dhe shkatërrimin e një klinike fertiliteti.
Raporti thekson:
“Viktimat e bombardimeve nuk janë identifikuar apo goditur si civilë individualë. Përkundrazi, ata janë shënjestruar në mënyrë kolektive për shkak të identitetit të tyre si palestinezë”.
Ndër të dhënat më alarmante është edhe ajo për rrënimin e pritshmërisë së jetës: Komisioni vëren me shqetësim një raport që tregon se, në maj të vitit 2025, zyrtarët e inteligjencës izraelite kishin renditur 8.900 militantë të Hamasit dhe Xhihadit Islamik Palestinez në Gaza si të vrarë ose të mundshëm të vrarë. Duke pasur parasysh se, deri në atë moment, 53 mijë palestinezë ishin vrarë nga sulmet izraelite, kjo do të thotë se 83% e viktimave në Gaza ishin civilë.
Raporti sjell gjithashtu shembuj të sulmeve ndaj civilëve gjatë rrugëve të evakuimit dhe në zonat e shpallura të sigurta, duke theksuar: “Komisioni ka konstatuar se palestinezët, përfshirë gra dhe fëmijë, janë shënjestruar dhe vrarë drejtpërdrejt, edhe në mungesë të ndonjë përleshjeje të afërt dhe kur ndodheshin të vetëm”.
Cilat janë përgjegjësitë e drejtuesve izraelitë?
Raporti vë në dukje “përgjegjësinë e shtetit të Izraelit” si për dështimin për të parandaluar gjenocidin, ashtu edhe për kryerjen e gjenocidit ndaj palestinezëve në Gaza që nga tetori 2023, dhe për mosndjekjen penale të këtij akti.
Sipas hetuesve, deklaratat e qarta të autoriteteve civile dhe ushtarake izraelite, së bashku me modelin e veprimit të forcave izraelite, tregojnë se veprimet gjenocidale janë kryer me qëllimin për të shkatërruar palestinezët në Rripin e Gazës si një grup i veçantë.
Raporti arrin në përfundimin se presidenti izraelit Isaac Herzog, kryeministri Benjamin Netanyahu dhe ish-ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant kanë nxitur kryerjen e gjenocidit, dhe se autoritetet izraelite nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për t’i ndëshkuar ata për këtë nxitje.
Si ka reaguar Izraeli?
Izraeli ka “hedhur poshtë kategorikisht” raportin, duke e quajtur atë “të rremë” dhe duke kërkuar “shuarjen e menjëhershme të kësaj komisioni hetimor”.
Ministria e Jashtme izraelite ka reaguar në rrjetin “X” (ish-Twitter), duke deklaruar: “Tre individë që veprojnë si përfaqësues të Hamasit, të njohur për qëndrimet e tyre haptazi antisemitiste, kanë publikuar sot një tjetër ‘raport’ të rremë për Gazën”, duke iu referuar, përveç Navi Pillay, anëtarëve të tjerë të Komisionit: Miloon Kothari nga India dhe Chris Sidoti nga Australia.
Prej kohësh në shënjestër të kritikave izraelite, ekipi hetimor njoftoi në mes të korrikut se do të japë dorëheqjen pas 4 vitesh pune, midis fundit të tetorit dhe fillimit të nëntorit, duke përmendur arsye personale dhe nevojën për një ndryshim, këto janë dorëheqjet e para kolektive nga ky Komision.
Ministria e Jashtme izraelite theksoi:Raporti bazohet tërësisht në gënjeshtrat e Hamasit, të ricikluara dhe të përsëritura. Këto trillime janë hedhur poshtë më parë në mënyrë të gjerë.
Qeveria izraelite ka kritikuar vazhdimisht këtë grup ekspertësh dhe ka refuzuar kërkesat e tyre të përsëritura për të vizituar rajonin.
Ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara në Gjenevë, Daniel Meron, e quajti raportin “skandaloz”, duke thënë se “është hartuar nga agjentë të Hamasit.”
Cili është lidhja mes Komisionit dhe Gjykatës Penale Ndërkombëtare?
Komisioni, i krijuar nga Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, është një organ hetimor që nuk ka fuqi gjyqësore, por raportet e tij mund të ushtrojnë presion diplomatik dhe të shërbejnë për mbledhjen e provave që më pas mund të përdoren nga gjykatat ndërkombëtare.
Navi Pillay deklaroi se Komisioni po bashkëpunon me prokurorin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN), i cili muajt e fundit ka lëshuar urdhër-arreste ndërkombëtare ndaj kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant.
“Ne u kemi ndarë atyre mijëra informacione”, tha Pillay.