Aktivisti Rron Gjinovci është lëshuar në koment seksist për të shprehur mospajtimin e tij me juristen e mediave Flutura Kusarin. Por, jo shumë kohë më parë, ai madje edhe kishte thirrur protestë kundër deputetit Ardian Kastrati pas komenteve seksiste të këtij të fundit ku merrej me pamjen e presidentes Osmani.
“Çfarë frizure” – komentoi Rron Gjinovci së fundi, duke vënë një figurë (emoji) duke qeshur me lotë dhe një tjetri me duar në kokë.
Kjo nxiti shumë komente tjera përqeshëse seksiste. Mes shumë reaguesve ishte edhe Ricardo Gutierrez që nënkuptoi se Gjinovci ishte lake/servil (stooge) i Kurtit që kishte zbuluar natyrën e tij të vërtetë.
Por, Gjinovci që e konsideroi si “vërejtje estetike” komentin e tij, dikur megjithatë e kishte kuptuar se çka është seksizmi.
Në prillin e 2021-s, ai e denonconte gjuhën seksiste të deputetit Ardian Kastrati nga PDK-ja duke bërë thirrje edhe për protestë.
Kjo protestë ishte mbajtur me parullën “Sekistat jashtë”. Gjinovci kërkonte që Kastrati të shkarkohej.
Deputeti i PDK-së kishte bërë komente po ashtu seksiste duke u marrë po ashtu me dukjen e presidentes Vjosa Osmani përmes një citimi të Faik Konicës:
““Në një shkrim të botuar në ‘ Gazeta Dielli’ mes tjerash gjeta këtë përshkrim satirik të Konicës (për një ish zyrtare të lartë të Stambollit) që sonte më bëri të qesh me lot …një fshatarake me një bark si kadë e me këmbë si magje, me një palë duar të trasha e të pjekura, e me një fytyrë të fryrë e të kuqe si piper t’Ohrit”.”