Kombëtarja e Kosovës U21 ka filluar përgatitjet për dy ndeshjet e para kualifikuese të Kampionatit Evropian, kundër Rumanisë dhe Spanjës, që i zhvillon më 5 shtator, përkatësisht 9 shtator.
Përzgjedhësi Afrim Tovërlani ka deklaruar se skuadra është e vetëdijshme për vështirësinë e këtyre përballjeve. “Janë dy kundërshtarë shumë të fortë dhe ndeshje të vështira, por ne duhet të japim maksimumin për të arritur rezultat pozitiv. Edhe në kualifikimet e kaluara kemi treguar lojëra të mira kundër ekipeve si Izraeli dhe Spanja, prandaj edhe këtë herë duhet të jemi të përgatitur”, ka thënë ai.
Ai shtoi se nuk priten ndryshime në formacion, por dy futbollistë kanë probleme me lëndime dhe mbetet të shihet gjatë ditëve të ardhshme nëse do të rikuperohen.
Diar Vokrri, theksoi se ekipi është i fokusuar vetëm te ndeshja e parë. “Në Rumani do të shkojmë vetëm për një rezultat pozitiv. Jam optimist dhe besoj shumë te grupi që kemi”, u shpreh Vokrri.
Ndërsa, mesfushori Igball Jashari theksoi se ka besim te ekipi. “Besoj se kemi një ekip të fortë dhe mund të arrijmë rezultate pozitive. Për mua është një ndjenjë e veçantë, sepse me U19 kemi arritur kualifikimin dhe tani pres të njëjtën gjë edhe me U21”, tha ai.