29.2 C
New York
Monday, June 23, 2025

Buy now

Kombëtarja U17 e vajzave nis grumbullimin treditor

- Advertisement -

Kombëtarja U17 e Kosovës në konkurrencën e vajzave ka nisur sot grumbullimin treditor në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali. Ky është grumbullimi i parë për gjeneratën 2009/2010, që shënon një kapitull të ri për këtë grupmoshë në përgatitjet për ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Evropian që do të zhvillohen në muajin tetor.

Përzgjedhësja Sanije Krasniqi bashkë me stafin teknik janë të fokusuar në seleksionimin e futbollisteve më të mira, të cilat do të përfaqësojnë Kosovën në këto ndeshje kualifikuese. Në këtë fazë përgatitore po marrin pjesë edhe 11 futbolliste nga diaspora, përkatësisht nga Zvicra, Gjermania, Suedia dhe Danimarka, me synim që të rritet kohezioni i grupit dhe që vajzat të njihen më mirë me njëra-tjetrën.

“Ky është grumbullimi i parë i kësaj gjenerate. Kemi një ndërrim brezi dhe objektivi është seleksionimi i lojtareve të reja, veçanërisht atyre nga Perëndimi. Vajzat që janë në Kosovë tashmë i kemi përcjellë në ndeshjet e tyre dhe po thuajse i kemi seleksionuar. Besoj se do të kemi edhe një grumbullim tjetër para kualifikimeve në fund të gushtit dhe të zhvillojmë një ndeshje miqësore”, u shpreh Krasniqi.

Kosova do të jetë pjesë e Ligës B, ku do të përballet me Uellsin, Moldavinë dhe Azerbajxhanin. Ndeshjet do të zhvillohen në Moldavi, ndërsa objektivi kryesor sipas Krasniqit është kalimi në Ligën A.

“Synimi ynë është kalimi nga Liga B në Ligën A. Do të jetë e vështirë, por shpresoj se këtë vit e kemi ekipin më të mirë se sa gjenerata e kaluar, edhe pse edhe me atë gjeneratë kemi pasur suksese”, ka shtuar Krasniqi.

Edhe futbollistet e grumbulluara u shprehën të lumtura që iu ka dhënë mundësia për t’i treguar vlerat e tyre dhe për të konkurruar për një vend në kombëtare.

“Është stërvitja e parë me grupin e ri dhe gjithçka po ecën shumë mirë. I kemi pritur shumë mirë vajzat e reja dhe po mundohemi të njihemi më mirë. Besoj se puna do të shkoj shumë mirë dhe normalisht presim vetëm suksese. Me punën që do të bëjmë do ta arrijmë më të mirën e mundshme”, ka theksuar Blerta Asllanaj, e cila ka qenë pjesë e kombëtares edhe me gjeneratën e kaluar.

Ndërkohë, një nga futbollistet që për herë të parë është pjesë e grumbullimit me Kosovën është Leona Kelmendi, e cila vjen nga diaspora dhe shprehet e emocionuar për këtë përvojë.

“Kam shumë emocione sepse është hera e parë që jam pjesë e Kosovës dhe kjo është një gjë shumë e madhe për mua, sepse gjithmonë kam pasur dëshirë të jem këtu. Jam shumë e lumtur dhe do të bëj gjithçka që të siguroj një vend në kombëtare. Me një vajzë njihem sepse është afër qytetit tim dhe kam luajtur edhe me parë me të, por të gjitha vajzat tjera më kanë pritur shumë mirë dhe më kanë ndihmuar për çkado që kam pasur nevojë. Do të isha gëzuar shumë nëse do të isha në tetor me kombëtaren, sepse është një ëndërr e imja dhe gjithmonë kam pasur dëshirë ta veshë fanellën e Kosovës. Baba im më ka sjellë deri këtu dhe për atë do të isha shumë e lumtur nëse do të realizoja këtë ëndërr, sepse pa mbështetjen e tij nuk do të arrija”, ka theksuar Leona Kelmendi

 

Të ngjashme

Të fundit