Kombëtarja e Kosovës në futboll për femra ka mësuar kundërshtarët për fazën e parë kualifikuese të Kampionatit Botëror 2027. Skuadra “dardane” do të garojë në Ligën C, duke synuar kalimin në fazën tjetër të garës.
Sipas shortit të hedhur nga UEFA, Kosova është vendosur në Grupin C2, ku do të përballet me përfaqësueset e Kroacisë, Bullgarisë dhe Gjibraltarit. Një grup i balancuar, ku Kosova do të ketë mundësi reale për të luftuar për kreun.
Përzgjedhësi dhe vajzat e Kosovës do të kërkojnë të përmirësojnë paraqitjet e mëparshme dhe të ndërtojnë një skuadër konkurruese për të ardhmen.
Objektivi kryesor do të jetë që ekipi të tregojë rritje, stabilitet dhe përfaqësim dinjitoz në arenën ndërkombëtare.
Kualifikimet për Botërorin 2027 pritet të nisin vitin e ardhshëm, dhe ndeshjet e para do të jenë një test serioz për potencialin e futbollit femëror kosovar.







