Kombëtarja e Serbisë mbërrin në Aeroportin e Rinasit
06.06.2025 13:55

Kombëtarja e Serbisë ka mbërritur sot në Aeroportin e Rinasit rreth orës 13:06, nën masa të rrepta sigurie, në prag të ndeshjes së vlefshme për Kualifikueset e Kupës së Botës 2026 kundër Shqipërisë. Më pas futbollistët u transportuan me autobus në një hotel në qendër të Tiranës, ku do të akomodohen përpara përballjes në stadiumin Air Albania më 7 qershor.
Policia njofton se rruga nga hoteli ku është akomoduar ekipi serb në bulevardin “Gjergj Fishta” deri në stadiumin “Arena Kombëtare” përmes bulevardit “Bajram Curri” do të ketë kufizime të pjesshme në orën 16:30 të sotme dhe në orën 18:45 të nesërmen, në momentet kur ekipi do të eskortohet për në stërvitje dhe për ndeshje.
Policia e Shtetit apelon për mirëkuptim nga qytetarët dhe kërkon respektimin e udhëzimeve të forcave të sigurisë në terren, duke paralajmëruar se çdo sjellje që cenon rendin dhe sigurinë do të trajtohet me tolerancë zero dhe në përputhje me ligjin.
Mbi 2000 forca policie janë angazhuar në terren, përfshirë RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë, Antiterrorin dhe SHISH, për të garantuar sigurinë dhe rendin gjatë qëndrimit të ekipit serb dhe zhvillimit të ndeshjes.
Antiterrori do të kontrollojë perimetrin e stadiumit dhe do të monitorojë pikat hyrëse në territorin shqiptar, ndërsa policia do të përdorë pajisje anti-dronë për të parandaluar çdo kërcënim ajror.
Që prej një jave, në pikat kufitare janë dërguar fotot e personave me prirje ekstremiste, të cilëve nuk do t’u lejohet hyrja në Shqipëri.