Komandanti i forcës paqeruajtëse KFOR, gjeneral majori Özkan Ulutaş, ka bërë të qartë se NATO nuk ka marrë vendim për të reduktuar trupat amerikane në Kosovë dhe do të ruajë praninë e saj të përhershme në pjesën veriore të vendit.
Ai tha se ShBA do të vazhdojë të luajë rol thelbësor për të ofruar siguri në gjithë Kosovën.
“Përbërja dhe pozicionimi i KFOR-it rishikohen periodikisht dhe përshtaten sipas zhvillimit të rrethanave në mënyrë që misioni të mbetet efektiv. Aktualisht, nuk ka ndryshime të rëndësishme nën shqyrtim. KFOR-i vazhdon të përmbushë mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të ndihmuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe lirinë e lëvizjes. KFOR-i operon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në rolin e tyre të përcaktuar si përgjegjës të sigurisë. SHBA-ja vazhdon të luaj një rol fundamental në mbështetje për një siguri të qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe për stabilitet rajonal, përfshirë edhe në kuadër të misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR. Shtetet e Bashkuara kanë pothuajse 600 trupa të dislokuara në KFOR. Ato udhëheqin Komandën Rajonale Lindje të misionit tonë. Komanda Rajonale Lindje kontribuon në operacionet e përditshme të KFOR-it në shumë mënyra të ndryshme, duke përfshirë patrullime, trajnim dhe stërvitje, angazhim me përfaqësues të komuniteteve lokale dhe mbështetje për projekte rindërtimi dhe zhvillimi ekonomik.” – tha ai në Rtv21.
Ulutash ka theksuar po ashtu se KFOR vazhdon të kërkojë llogaridhënie për sulmin në Banjskë në vitin 2023, duke insistuar që kryerësit e sulmeve të përballen me drejtësinë






