Ajvaz Berisha e ka zyrtarizuar kandidaturën e tij për kryetar të Komunës së Drenasit.
Ish-komandanti i Njësisë Speciale pranë Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, do të garojë si kandidat i partisë “Bashkimi Demokratik”, një parti të cilën e ka themeluar vet.
Berisha tha se ofron një aletrnativë për progres në Drenas, në një deklaratë në rrjetin social Facebook të martën.
Kandidatura e Berishës është e treta e shpallur në dy ditët e fundit për kryetar të Drenasit.
Të hënën, dy anëtarë të Partisë Demokratike të Kosovës, kryetari aktual i Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe ish-kandidati për deputet Petrit Hajdari, shpallën kandidaturën. Vetëm njëri prej tyre do të nominohet nga partia.
Postimi i plotë i Berishës:
𝗠𝗘𝗦𝗔𝗭𝗛 𝗣𝗨𝗕𝗟𝗜𝗞 𝗣Ë𝗥 𝗤𝗬𝗧𝗘𝗧𝗔𝗥Ë𝗧 𝗘 𝗗𝗥𝗘𝗡𝗔𝗦𝗜𝗧!
𝗧ë 𝗱𝗮𝘀𝗵𝘂𝗿 𝗾𝘆𝘁𝗲𝘁𝗮𝗿ë 𝘁ë 𝗗𝗿𝗲𝗻𝗮𝘀𝗶𝘁,
Zgjedhjet lokale të tetorit 2025 po afrohen, e me këtë edhe mundësia që përmes votës të ngritni zërin tuaj për komunën çfarë e dëshironi, t’ia besoni menaxhimin e përditshmërisë suaj një qeverisjeje lokale transparente dhe një kryetari të përgjegjshëm. Drenasit i kanë munguar këto dy elemente pas luftës, ndaj kemi themeluar partinë politike “Bashkimi Demokratik”, ku kryetar jam unë, prof.dr. Ajvaz Berisha. Ky angazhim politik më merr kohë dhe mund, por unë synoj të vë në shërbimin tuaj tërë mundin, dijen dhe potencialin tim për një Drenas më të përparuar, më të barabartë dhe më të jetueshëm.
Ç𝗳𝗮𝗿ë 𝗼𝗳𝗿𝗼𝗷 𝘂𝗻ë 𝘀𝗶 𝗸𝗮𝗻𝗱𝗶𝗱𝗮𝘁 𝗽ë𝗿 𝗞𝗿𝘆𝗲𝘁𝗮𝗿 𝘁ë 𝗗𝗿𝗲𝗻𝗮𝘀𝗶𝘁?
Nëse doni qeverisje në shërbimin tuaj e jo të klaneve dhe “nëntokës politike”; nëse doni qeverisje që nuk merr urdhëra nga lart; nëse doni eliminimin e nepotizmit, korrupsionit, pabarazisë e politizimit të çdo sfere jetësore; nëse synoni që të mos vazhdojmë të mbesim qe 3 dekada komuna më e varfër në Kosovë, përkundër që jemi e para me kontributin dhe viktimat për liri;…atëherë zgjedhja e juaj për eliminimin e këtyre problemeve dhe sfidave është PP “Bashkimi Demokratik” dhe programi liberal që unë përfaqësoj. Qytetari, të drejtat dhe liritë e tij, mundësitë zhvillimore për Drenas, përmirësimi i pozitës së gruas, rinisë, përkrahja e bizneseve, bujqve dhe kategorive të luftës, do të jenë në fokusin tim!
Iu bëj thirrje të hapur rinisë, studentëve, intelektualëve, gruas drenicase, luftëtarëve për liri, njerëzve me dinjitet e guxim, që Drenasi i ka pasur gjithmonë:
– mos e vrisni ardhmërinë tuaj, të fëmijëve tuaj e gjeneratave që po vijnë, mos e shitni votën e mos iu besoni atyre që kanë keqqeverisur qe 25 vite,
– mos ua vazhdoni jetën politike atyre që kanë favorizuar nepotizmin, korrupsionin, skandalet e aferat e ndryshme,
– mos u bëni përkrahës të politikanëve që kanë përvetësuar, privatizuar e politizuar pa të drejtë edhe luftën dhe meritat për të,
– mos lejoni t’iu “hedhin hi syve” të njejtit, të cilët kanë krijuar rrethanat që nga Drenasi të ikin mbi 11000 banorë e qindra biznese, përkundër faktit që Drenasi ka pozitën më të favorshme në tërë Kosovën.
𝗦𝗶 ë𝘀𝗵𝘁ë 𝗗𝗿𝗲𝗻𝗮𝘀𝗶 𝘀𝗼𝘁 ?
Qytetarë të respektuar,
Drenasi nuk ia ka borxh asnjë partie e as individi këtë mendësi të instaluar të stilit monist, këtë shkatërrim dhe regres, bile duke e prezentuar atë si zhvillim dhe përparim! Drenasi me dekada ka probleme bazike jetësore të pazgjidhura. Mos harroni: nuk na ka munguar sheshi, i cili është prishur e rregulluar 4-5 herë, por në vazhdimësi e me vite mungon uji në Drenas, si elementi kryesor për jetë. Vlerësojeni vet se cili është prioritet më i madh!
Në politikën tonë ka filluar një periudhë që po i ngjanë monarkisë! Thuajse pak kanë qeverisur “baballarët e kombit” për 25 vite me votat nga “hambari” i Drenicës, pa e kthyer këtë besim në zhvillim e progres, por tani po synojnë t’i vëjnë në pozita politike bijtë, bijat, nipat e mbesat e veta. Kjo po bëhet pa kurrfarë turpi e kriteri, vetëm për të vazhduar ndikimin dhe fuqizimin politik, të kombinuar me korrupsion e nepotizëm. Tetori po afron dhe kjo mendësi duhet të zhbëhet, pikërisht për të mirën e Drenasit! Ne kemi program modern, të zbatueshëm dhe njerëz të duhur për ta arritur këtë synim!
Ç𝐟𝐚𝐫ë 𝐝𝐮𝐡𝐞𝐭 𝐚𝐧𝐚𝐥𝐢𝐳𝐮𝐚𝐫 𝐩𝐚𝐫𝐚 𝐬𝐞 𝐭ë 𝐯𝐨𝐭𝐨𝐧𝐢?
Koha është tejet e vlefshme për të na e menaxhuar kushdo e si të dojë, me injorancë e arrogancë, me inate klanore të stilit mafioz, prandaj ju thërrasim të mendoni mirë dhe më gjerë sesa për vete e familjen tuaj, kur të vjen dita që të votoni! Mos harroni: Drenasi ka mbetur kampion i varfërisë, e jo i qeverisjes së suksesshme. Qeverisje e suksesshme dhe performancë e dalluar nuk është ajo që plotëson disa kritere administrative e burokratike, por ajo që ndryshon pozitivisht përditshmërinë e qytetarit. Jo ajo që nuk të siguron as ujin e pijes, si elementin bazë për jetë. Jo ajo që politizon arsimin, shëndetësinë dhe degradon shumë aspekte të jetës shoqërore, por ajo qeverisje që është shërbëtore e qytetarit – ajo është kampione!
Drenasi nuk ka parë ende çfarë është qeverisja e mirë, sepse nuk ka pasë mundësinë e krahasimit ose ndryshimit të qeverisjes lokale njëpartiake. Fatkeqësisht për Drenasin, këtu është sunduar me autokraci, e shumë pak është qeverisur në shërbim të qytetarit.
𝗖𝗶𝗹𝗶 ë𝘀𝗵𝘁ë 𝗼𝗯𝗹𝗶𝗴𝗶𝗺𝗶 𝗾𝘆𝘁𝗲𝘁𝗮𝗿 𝘁𝗮𝗻𝗶?
Të nderuar bashkëqytetarë të mi,
Vota është e fuqishme, por vetëm nëse e përdorni drejtë, nëse ndëshkohet keqqeverisja dhe hapen mundësi të reja zhvillimore, sepse kjo është demokracia! Lufta e UÇK-së është historia jonë e lavdishme, por që nuk na jep të drejtën ta politizojmë e t’iu kërkojmë votë për atë se çfarë bëmë atëherë, por për çfarë synojmë tani. Obligimi më i madh patriotik tash është zhvillimi dhe progresi i Drenasit, e jo zhvatja dhe degradimi i tij !
Nëse vazhdon shkatërrimi dhe mendësia moniste qeverisëse, e lidhur me njëfarë “obligimi” të pashkruar të Drenasit për të fuqizuar pushtet e “monarkë të vegjël” në fron, e nuk ka reagim qytetar dhe ndërgjegjësim për dëmin që po bëhet, atëherë secili do të jemi bashkëfajtorë për këtë degradim të komunës sonë dhe këtë nuk do ta falin gjeneratat që vijnë!
Prandaj, në tetor VOTONI bazuar në atë që ne përfaqësojmë, për çfarë angazhohemi, e jo bazuar në “borxhe”, inate e interesa të ngushta e meskine! Mos harro të kaluarën, por VOTO për të ardhmën, për zhvillimin, për një Drenas ndryshe! Përballë disa “kartave të djegura” politike, të njohura, të sprovuara e në vazhdimësi të dështuara, PP “BASHKIMI DEMOKRATIK” dhe unë, prof dr. Ajvaz Berisha me bashkëpunëtorët e qytetarët, jemi alternativa e duhur që po iu ofrohet juve dhe Drenasit tonë!
Na priftë e mbara në këtë synim fisnik!
Sinqerisht,
𝗣𝗿𝗼𝗳.𝗱𝗿.𝗔𝗷𝘃𝗮𝘇 𝗕𝗲𝗿𝗶𝘀𝗵𝗮
𝗞𝗿𝘆𝗲𝘁𝗮𝗿 𝗶 𝗣𝗣 “𝗕𝗔𝗦𝗛𝗞𝗜𝗠𝗜 𝗗𝗘𝗠𝗢𝗞𝗥𝗔𝗧𝗜𝗞”