Policia në Ekuador ka gjetur pothuajse 8.8 ton kokainë në një ngarkesë me banane të destinuara për në Belgjikë me vlerë rreth 330 milion dollarë.
Me Ekuadorin, eksportuesin më të madh në botë të bananeve, kontrabandistët shpesh përpiqen të fshehin dërgesat e tyre të paligjshme midis frutave që dërgohen nga Guayaquil në destinacione në të gjithë globin.
Gjithashtu Ekuadori është bërë një nga vendet kryesore të tranzitit për kokainën e prodhuar në Perunë dhe Kolumbinë fqinje.
Nga ana tjetër Belgjika është kthyer në vendin ku janë sekuestruar sasitë më të mëdha të kokainës brenda Bashkimit Evropian në vitet e fundit, me portin e Antwerpenit pikën kryesore të hyrjes për drogën ilegale.
Konfiskimi përkon me një vizitë të Ministres së Brendshme të Belgjikës Annelies Verlinden dhe Komisioneres Evropiane për Çështjet e Brendshme Ylva Johansson në Ekuador dhe Kolumbi, ku dy zyrtarët duan të forcojnë bashkëpunimin në luftën kundër trafikut të drogës.
Drejtori i Qendrës Evropiane të Monitorimit për Drogën dhe Varësinë nga Drogat, Alexis Gosdeel, tha në fillim të këtij muaji se “fluksi në rritje i kokainës tani kërcënon të gjithë Bashkimin Evropian”.
“Jam thellësisht i shqetësuar se zgjerimi i tregut të kokainës në BE po sjell një rritje të dhunës dhe korrupsionit në institucionet publike dhe qeverisjen”, paralajmëroi ai.
Vitin e kaluar, më shumë se 200 ton drogë u kapën në vendin e Andeve, shumica e saj në portin e Guayaquil.