Pushtetarët, maninë e sulmeve dhe linçimeve ndaj mediave si duket e kanë bartur edhe tek familjarët e tyre. Tashmë është e njohur qasja e qeverisë aktuale të udhëhequr nga Albin Kurti dhe vartësve të tij ndaj gazetarëve në rastet kur ua qesin skandalet apo tentojnë të marrin ndonjë informacion prej tyre. Sot në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit mund të numërojmë dhjetëra raste kur janë sulmuar gazetarët brenda një viti nga figura si Prindoni, Xhelali, Luani, e madje edhe nga vet kryeministri e presidentja…
Çka lë shumë përshtypje është një postim që duhet ta vlerësojmë patjetër të turpshëm nga ana e Ene Aliut, djalit të ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliut.
I njëjti teksa kishte shpërndarë njoftimin se Komisioni i Pavarur i Mediave kishte ndaluar transmetimin e kanaleve ruse në Kosovë, në mbishkrim kishte aluduar në dy media kosovare.
Pyetja e tij ishte kështu: A i bie që duhet të mbyllen edhe Gazeta Express e Insajderi?

Pra i biri i ministrit i futi dy media online nga Kosova në thesin e atyre që operojnë në Rusinë e Putinit. Si duket kjo tregon mendësinë e pushtetit dhe rrethit të tij, duke krijuar armiqësi me mediat vendore, për faktin se i shohin si media serbe e ruse, e jo si partnere apo bashkëpunëtore siç do të duhej.
Raste sulmuese e linçuese ndaj mediave si të Ene Aliut vijnë në përditshmëri edhe nga njerëz të pozitave të larta.
Një të tillë e kemi nga ‘Zotëriu i Parë’, Prindon Sadriu i cili mban edhe postin e ushtruesit të detyrës së ambasadorit në Shkup. Ai i quajti mediat ‘ndërmarrje kriminale’.
Pastaj si rast i freskët është sulmi i shefit të stafit të kryeministrit Albin Kurti, Luan Dalipit ndaj mediave. Nëse shkojmë në vitin e kaluar, ka me dhjetra raste të gjuhës linçuese e denigruese nga zyrtarë të Vetëvendosjes, e grupe apo mbështetës të Albin Kurtit nëpër rrjete sociale.
E më i fundit që ndodhi, jo më pak shqetësues ishte sjellja e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ndaj gazetares së Periskopit.