Lajme

Koci për ndalimin e Mustafës nga Specialja: Me thanë se shumë shpejtë e lirojnë, nuk është i arrestum

By GAZETA SCANNER

September 13, 2023

Avokati Arianit Koci ka bërë të ditur se hetuesit e Gjykatës Speciale kanë shkuar mbrëmë në shtëpinë e ish-komandantit të UÇK-së, Rrustem Mustafa, për ta dërguar “Remin” në bazën e EULEX-it në Fushë Kosovë.

Avokati Koci ka thënë se T7 se Mustafa është ndaluar para shtëpisë së tij dhe më pas është dërguar në bazën e EULEX-it.

“E kanë marrë para shtëpisë, në parking dhe e kanë dërguar në vendin ku e kanë një bazë EULEX-i. Unë shkova aty, teksa u kryen veprimet, një hetues tha ‘Remi nuk është i arrestuar’. Ata e kanë marrë, se nuk ka shkuar. I kanë thanë duhesh me ardhë me neve”, pohoi Koci.

Koci më tej ka thënë se ishte i pranishëm në momentin e këtyre veprimeve dhe ka thënë se hetuesit kanë bërë të qartë se Mustafa nuk është arrestuar, dhe ata nuk kishin nevojë për avokat.

Avokati ka thënë se ka kërkuar të sigurojë që të drejtat legale të klientit të tij të respektoheshin gjatë procedurave, dhe sipas tij, hetuesit kanë mbështetur këtë kërkesë.

“Kur shkova atje, tha prit ta pyesim Remin se a pranon avokat. I thashë në rregull që kanë me liru, unë thashë me këqyr bazën ligjore, pse e kanë marrë. Sot i paskan thonë Remi, a ke nevojë për avokat. U takova sot me të, tha kanë ardhur, e kam dorëzuar telefonin. Asnjë pyetje shtesë nuk ka pasur. Telefoni kur merret prej hetuesve, duhet me pasë bazë ligjore. Siç duket, ato janë përmbushur”, deklaroi ai.

“Por, nuk ia kanë bërë asnjë pyetje shtesë. Ata thanë shumë shpejtë e lirojnë, nuk është i arrestum, nuk ka nevojë për avokat, përfundoi procedura”, – tha avokati Koci.