Ish deputeti i PS, Petro Koçi kujtoi figurën e Fatos Nanos duke theksuar kontributin e ish-kryeministrit shqiptar, të cilin e konsideroi historik në transformimin e Partisë së Punës në një parti demokratike europiane dhe ringritjen e Shqipërisë nga gërmadhat e vitit 1997 në një shtet normal.
Koçi tha se Nano ishte “patriot i madh” dhe shembull i kurajos shtetërore dhe diplomacisë së guximshme.
“Fatos Nano ishte një patriot i madh. Ishte ai që jo vetëm ringriti shtetin e rënë në ’97-ën, por i dha shpirt çlirimtar dhe armë UÇK-së”, tha ai.
“Edhe takimi i përfolur me Millosheviqin duhet përcatuar si një paradhomë e Rambujesë. Ishte shembull i kurajos shtetërore dhe i diplomacisë kurajoze. Ishte një takim në një valë të padiskutueshme me partnerët tanë gjeostrategjikë”, tha Koçi.
Fatos Nano vdiq të premten në moshën 73-vjeçare.






