Avokati Arianit Koci ka bërë të ditur se ka marrë përsipër mbrojtjen juridike të Shkëlzen Gashi, në një rast që tashmë ka ngjallur reagime të forta në opinionin publik për shkak të ndjeshmërisë së tij.
Përmes një postimi në facebook, Koçi ka ngritur shqetësime serioze lidhur me mënyrën e zhvillimit të procedurave nga organet e rendit, duke theksuar se bastisja në shtëpinë e Gashit është kryer pa urdhër të gjykatës.
Sipas tij, gjatë kontrollit është paraqitur vetëm një autorizim i prokurorit për mbledhjen e provave, dokument i cili tashmë është bërë publik. Megjithatë, Koçi vlerëson se ky autorizim nuk mund të zëvendësojë një vendim gjyqësor për bastisje, duke shtuar se bëhet fjalë për një komunikim të brendshëm ndërmjet Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës.
Postimi i plotë:
Nga dje, në cilësinë e avokatit, kam marrë përsipër mbrojtjen juridike të Shkëlzen Gashi.
Rasti ka ngjallur reagime të forta publike, për shkak të ndjeshmërisë që përmban.
Sidoqoftë, një fakt është i pamohueshëm: bastisja në shtëpinë e tij është kryer pa urdhër të gjykatës.
Gjatë kontrollit, atij i është prezantuar një autorizim i prokurorit për mbledhjen e provave, i bërë tashmë publik.
Ky autorizim nuk e zëvendëson vendimin gjyqësor për bastisje. Për më tepër, ky dokument është komunikimi intern i Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës.
Sipas nenit 36 të Kushtetutës, bastisja e banesës, konfiskimi i pajisjeve dhe ndërhyrja në komunikime lejohen vetëm me vendim gjyqësor, përveç rasteve urgjente. Një urgjencë e tillë nuk ekziston, sidomos kur kemi të bëjmë me veprimtari publike – ekspozitë në qendër të kryeqytetit.
Prandaj, vet mënyra se si është realizuar bastisja, ngutia e paarsyeshme e organeve shtetërore, e kontaminon çështjen e pretenduar penale që në fillim.
Mbi të gjitha, procesi penal i filluar ndaj një personi për një projekt të financuar nga Kuvendi i Kosovës, dhe me me leje për ekspozitë nga Komuna e Prishtinës, përbën një precedent të rrezikshëm për lirinë e shprehjes dhe veprimtarinë publike në përgjithësi.






