Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha, në Bruksel ka thënë se vendi i tij dominohet nga banda dhe kartele droge, të cilat sipas tij nuk lejojnë rotacionin politik.
Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, nga foltorja e Kuvendit e quajti Sali Berishën si Dick Marty shqiptar, teksa theksoi se gjuha e tij në Bruksel ishte e patolerueshme.
“Dick Marty nuk ka vdekur. Dick Marty që dikur akuzonte UÇK-në për transplant organesh, ishte ringjallur dje në Bruksel. Kësaj radhe jo për të akuzuar UÇK-në, por vetë Shqipërinë. Dick Marty shqiptar akuzonte Shqipërinë si vend kartelesh bandash, ku aeroportet dhe portet janë vënë në dispozicion të trafikut ndërkombëtar të drogës, gjë e tmerrshme dhe e duartrokitshme në Kremlin, Beograd apo diku tjetër”, tha Koçi në Kuvendin e Shqipërisë.
Deputeti Koçi ishte i ftuar në “Tirana Live” në ABC News, ndërsa pohoi sërish se damkosja e shqiptarëve në Bruksel nga kryetari i Partisë Demokratike është e pafalshme dhe e dënueshme.
“M’u kujtua menjëherë Dick Marty, i cili donte t’i vinte njollë shqiptarëve duke akuzuar UÇK-në për trafik organesh. Unë e quajta Berishën si Dick Marty shqiptar. Ajo që bëri ishte e patolerueshme dhe e pafalshme. Damkosi të gjithë shqiptarët kur e krahasoi Shqipërinë me lidhje të tilla, që e çojnë deri në Amerikën Latine. Përdori gjuhën e baltosjes kur ishte në Bruksel”, tha Koçi.
Sipas deputetit socialist, Sali Berisha është simboli i dhunimit të zgjedhjeve në Shqipëri.
“Ka manipuluar, por nuk i mashtron më shqiptarët. Simboli i dhunimit të votës së lirë deri në grusht shteti, janë disa palë zgjedhje në të cilat ai është përfshirë në dhunim zgjedhjesh. Ai i ka bërë zgjedhjet në mënyrë fashiste, jo thjesht manipulim”, theksoi Koçi.