7 C
New York
Wednesday, November 27, 2024

Buy now

KMDLNj: Deputetët të kenë kujdes me fjalorin, Kodi Civil do votohet në një të ardhme të afërt pa asnjë dyshim

- Advertisement -

Në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës ka dështuar votimi i Kodit Civil shkaku se nga 61 deputetë sa kishin votuar 28 deputetë kishin votuar për, 29 kishin votuar kundër ndërsa 4 të tjerë kishin abstenuar.

Sipas Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) duket qartazi se Kodi Civil nuk ishte votuar për faktin se shumë deputetë janë frikësuar se me këtë Kod Civil i hapet rruga legalizimit të martesave të gjinisë së njëjtë e që e kanë bërë të ditur edhe në diskutimet e tyre para se të votohej ky ligj.

“Disa prej tyre deklaruan se do të votojnë për këtë Kod Civil nëse hiqet neni përkatës që e lë këtë mundësi dhe për të cilin kanë kërkuar që të votohet pa asnjë ndryshim vendet e Quintit dhe BE-së. Për KMDLNj-në është e padiskutueshme e drejta e deputetit që të votojë pa iu nënshtruar asnjë presioni dhe të votojë në bazë të vullnetit të deputetit duke përfaqësuar dhe mbrojtur të drejtat e votuesve që e kanë votuar por edhe votuesve të tjerë, të [ drejtat e qytetarit të Kosovës pavarësisht përkatësisë etnike, bindjeve politike, besimeve fetare, moshës, gjinisë apo statusit në shoqëri e që në shumë raste nuk ka ndodhur për faktin se deputetët i janë nënshtruar presionit brutal të subjektit që i takon dhe bashkësisë ndërkombëtare siç ishte rasti me Demarkacionin apo themelimin e Gjykatës Speciale”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.

KMDLNj në këtë reagim ka theksuar se është e shqetësuar për fjalorin e papërmbajtur, degradues, fyes dhe përjashtues që deputetët e Kuvendit të Kosovës e përdorin kryesisht në mungesë të fakteve dhe për qëllime politike.

“Me rastin e diskutimeve për Kodin Civil në Kuvendin e Kosovës pati diskutime të papranueshme nga aspekti i të drejtave të njeriut dhe nga aspekti i mandatit të deputetit me ç’rast u fyen rëndë pjesëtarët e një komunitetit me orientim seksual ndryshe e që nuk do të duhej të tolerohej sikur që deputetët e tillë do të duhej të sanksionoheshin për këtë fjalor përjashtues, fyes, degradues, diskriminues dhe racist. E drejta e pakundërshtueshme dhe e pamohueshme e deputetit që të votojë në bazë të bindjeve që i ka, vullnetit dhe pa iu nënshtruar asnjë presioni nuk nënkupton edhe të drejtën që të fyejë dhe diskriminojë të tjerët edhe nëse nuk pajtohen me asgjë me përmbajtjen e ligjit të propozuar”, është theksuar në këtë reagim.

Mosvotimin e Kodit Civil, KMDLNj e konsideron më shumë si lojë politike, të pozitës dhe opozitës.

“Pa asnjë dyshim ky Kod Civil do të votohet në një të ardhme të afërt prandaj deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të tregohen shumë të kujdesshëm dhe të përmbajtur për fjalorin që e përdorin. KMDLNj e respekton, si të drejtë të njeriut edhe mospajtimin e disa deputetëve më këtë Kod Civil mirëpo nuk përkrah në asnjë mënyrë fjalorin fyes, diskriminues dhe degradues ndaj askujt e në rastin konkret të komunitetit me orientim seksual ndryshe”, është theksuar në reagimin e KMDLNj-së.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit