Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp mendon se ekipit të tij duhet t’i jepen tri pikët nëse tifozët e Manchester Unitedit futen në fushë dhe e shtyjnë ndeshjen e sontme.
Përballja në mes të dy ekipeve ishte shtyrë në maj të vitit 2021 pasi tifozët e United kishin protestuar kundër pronarëve të klubit, familjes Glazer.
Tifozët pritet të proestojnë edhe një herë pas një vere dëshpëruese dhe një sezoni të dobët të filluar, ndërsa stafi i “Old Traffordit” duhet të jetë më i përgatitur sonte se zakonisht.
“Planet për lojën nëse s’luhet? Po, të shkojmë në shtëpi me autobus”, shpjegoi Klopp për “BBC Sport”.
“Unë vërtet shpresoj që kjo të mos ndodh, por nëse ndodh, mendoj se ne do t’i marrim pikët”, vazhdoi ai.
“Ne nuk kemi të bëjmë asgjë me situatën dhe nëse tifozët duan që loja të mos zhvillohet, më pas ne nuk mund ta përsërisim lojën dhe të përshtatemi në një sezon jashtëzakonsht të ngarkuar”, shtoi tutje trajneri gjerman.
“Ne do të shkojmë atje me shpresën që ta luajmë lojën dhe të shkojmë në shtëpi. Mirëpo, në një situatë si kjo, gjithmonë ekipi kundërshtar i merr pikët sepse nuk ka asgjë të bëjë me këtë dhe kundërshtari ynë duhet të përgatitet për këtë”, përfundoi ish-trajneri i Borussia Dortmundit.
Vitin e kaluar, loja pritej të luhej pa shikues pasi ishte piku i COVID-it.
Por, mijëra tifozë dolën për të protestuar pak javë pas dështimit të krijimit të Superligës së Evropës.
Tensionet janë rikthyer edhe tash dhe tifozët kanë paralajmëruar se sonte do të futen në fushë në “Old Trafford” për ta ndërprerë lojën me rivalin historik, Liverpool.
Ndeshja e sontme pritet të fillojë në orën 21:00.