Pushtimi rus në Ukrainë prek drejtpërdrejt Gjermaninë, ka thënë kryetari i Kievit, Vitali Klitschko të hënën, teksa ka takuar zyrtarët gjermanë në Hamburg, qytetin ku ai, dhe vëllai i tij Vladimiri, e kanë nisur karrierën në boks.
Klitschko ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin, po synon të rikrijojë Bashkimin Sovjetik.
“Dhe ju gjermanët, nuk duhet të harroni se një pjesë e Gjermanisë, ku Putin ka punuar me vite si agjent i KGB-së, ka qenë, po ashtu, pjesë e një perandorie më të madhe sovjetike ruse”, ka shtuar ai.
Ukraina tani është duke luftuar për të mbrojtur “secilin prej jush kundër Putinit”, ka thënë mes tjerash Klitschko, ish-kampion botëror në boks, teksa ka folur në sallën e qytetit të Hamburgut, bashkë me kryetarin e qytetit, Peter Tschentscher.
“Ne, më përpara do të jetonim pa ujë dhe pa rrymë, sesa me ushtarë rusë. Ne jemi duke luftuar për të ardhmen tonë evropiane”, ka thënë ai, duke e përshkruar pushtimin jo si luftë, por si terrorizëm dhe gjenocid.
Duke e përshkruar shkatërrimin e Kievit, Klitschko ka thënë se 162 civilë kanë vdekur si pasojë e armiqësive, përfshirë pesë fëmijë, dhe se gati 800 ndërtesa janë shkatërruar.
Rusia ka tentuar që disa muaj që të rrisë presionin ndaj civilëve, duke ua sulmuar infrastrukturën kritike, çka ka rezultuar më pas me mungesa të rrymës.
“Ky ka qenë dimri më i vështirë ndonjëherë për qytetin tonë. Mirëpo ne kemi vazhduar përpara dhe kemi luftuar”, ka thënë ai.
Klitschko ka qenë i shoqëruar nga vëllai i tij, Vladimiri, i cili, po ashtu, është shpallur kampion në boks.
Ky udhëtim shënon përvjetorin e parë të paktit të solidaritetit në mes të Kievit dhe Hamburgut.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.
Presidenti rus, Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. /REL/