Faton Klinaku, ushtrues i detyrës së Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka thënë se institucionet e Kosovës janë të gjora përballë “gjykatës politike speciale në Hagë”.
Andaj, ai u ka bërë thirrje institucioneve të Republikës së Shqipërisë që të mos ekstradojnë askënd në Gjykatën Speciale në Hagë, duke e përmendur edhe Dritan Goxhën, ish-luftëtar i UÇK-së.
Më tej, Klinaku ka përmendur akuzat e Speciales për arrestimin e Goxhajt.
“Arsyetim: Siç e kemi të njohur, Dritan Goxhaj ka dhënë intervista në gazeta e televizione të ndryshme dhe mund të ketë nxjerrë ndonjë emër që është dëshmitar aty, por bazuar në praktikën e asaj Gjykate, intervistat e tij do të ballafaqohen e përdoren kundër të akuzuarve në Hagë”.
“Dritani paska nxjerrë “sekretin” për ndonjë dëshmitar dhe me këtë po thuhet se qenka “penguar” drejtësia! Por, ne e dimë se asaj Gjykate Superspeciale i dolën sheshit dosjet e tyre në mes të Prishtinës dhe për këtë megaskandal të saj u dënuan shokët tanë Hysni Gucati e Nasim Haradinaj”.
“Ne e dimë po ashtu se zyrtarisht dhe në njoftimet e uebfaqes së tyre, ata i kanë publikuar viktimat dhe me këtë edhe dëshmitarët. Shtrohet pyetja, kush u hetua apo u dënua nga anëtarët e asaj pseudogjykate e cila nxori sekretin e dokumenteve që ishin në administrimin e tyre? Në praktikat gjyqësore penaliteti zbatohet ndaj personit përgjegjës që ruan apo disponon dokumentet e cilësuara ‘sekret’ dhe jo mbi të tjerët, të cilët në rrugë e forma të ndryshme mësojnë për sekretin”, ka thënë Klinaku.