Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL të UÇK-së, Faton Klianku, ka thënë se protesta e 16 qershorit, e cila do të fillojë nga ora 9:30 para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, pritet të jetë protestë paqësore.
Në emisionin “Personale” të RTV DUKAGJINI, ai ka thënë se protesta e nesërme pritet që të jetë e qetë, sepse sipas tij, problemi nuk qëndron te policët dhe ndërtesa e Kuvendit, por problemi është me qeveritarët dhe deputetët.
“Nesër presim, dhe ftojmë që veteranët që protesta të jetë paqësore. Ne nuk kemi problem me policët dhe Kuvendin e Kosovës si ndërtesë, ne problemin e kemi me qeveritarë e deputetë”, ka thënë Klinaku.
Për protestën e nesërme, ai ka thënë se i fton të gjithë të jenë të qetë, por sipas tij, është e vështirë, sepse në protestën e kaluar, njerëzit kanë qenë të frustruar, pasi me këtë diskriminim, ata mbesin si raste sociale.
Për këtë protestë, ai ka thënë se deri më tash ka marrë mbështetje nga degët e organizatës së veteranëve të luftës, të cilat i ka në Kosovë.
Përveç kësaj, ai ka thënë se ka marrë mbështetje edhe nga partitë politike, si Partia Socialdemokrate e Kosovës(PSD), partia Nisma, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), nga Lëvizja për Bashkim.
“Ne protestën si organizatorë, jemi munduar që ta qetësojmë situatën, por njerëzit kanë qenë të frustuar, sepse është gjendje e rëndë, sepse do të mbesin si raste sociale”, ka thënë Klinaku për protestën e kaluar.
Ndër të tjera, ai ka thënë se në takimet e kaluara me kryeminstrin Kurti, është bërë kërkesë që të mos ndryshohet ky projektligj i pagës minimale, ku diskriminohen veteranët e luftës.