Klan Kosova ka fituar rastin ndaj ARBK-së, në shkallën e parë të Gjykatës Komerciale. Aktgjykimi për këtë u mor më 13 mars.
“Aprovohet në tërësi si e bazuar kërkesëpadia e paditësit “Klan Kosova” SH.P.K. Anulohen vendimi nr 4566/01 i datës 28.07.2023 i nxjerrë nga Komisioni për Shqyrtimin e ANkesave për Regjistrimin e Bizneseve dhe Vendimi Nr 309\11 i datës 14.06 2023 i nxjerrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë pranë të paditurit Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë”, thuhet në pikën 1 të aktgjykimin që mban firmën e gjykatësit Arnis Duman.
Në pikën 2 thuhet se “ky aktgjykim i zëvendëson aktet e anuluara dhe ka karakter detyrues”. Klan Kosova e pati paditur ARBK-në për shkak të vendimin që kjo e fundit pari marrë, më 14 qershor 2023 për t’ia suspenduar televizionit certifikatën e biznesit, vendim ky të cilin e pati konfirmuar më pas edhe Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve, më 28 korrik, pavarësisht ankesës së Klanit.
Pas këtyre vendimeve, Klani ka bërë dy padi në Gjykatën Komerciale, një për vendosjen e masës së përkohshme ndaj vendimit të ARBK-së dhe tjetrin për ta rrëzuar tërësisht atë vendim. Komercialja pati vendosur pozitivisht për padinë e parë, më 3 gusht. Kurse, vendimi i dytë pozitiv, u mor më 13 mars.
Po ashtu, televizioni pati marrë mbështetje të madhe edhe nga ambasadorët e vendeve më të fqishëm të botës, të akredituar në Kosovë, e po ashtu edhe nga politika e organizatat e shoqërisë civile.