Ardian Gjini, nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka komentuar deklaratat e Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, të dhëna në një intervistë në “Politiko” në Kanal 10-të.
Gjini tha se qeveria ka dhënë shenja serioze që nuk do të kuptojë, teksa fajësoi kryeministrin Kurti për zvarritjen e proceseve të rëndësishme për Kosovën.
Sipas tij, Kosova po humbet shumë dhe mesazhet e dhëna nga O’Brien duhet të jenë koha e fundit që qeveria të reflektojë.
“Shpresoj që populli i Kosovës e kupton që Qeveria e Kosovës ka dhënë shenja serioze se nuk do me kuptu. Është çështja që Amerika jo vetëm që nuk është naive, por është sistemi politik më i avansuar në historinë e njerëzimit, që ata njerëz i kanë shërbimet më të sofistikuara, andaj kjo duhet të jetë koha e fundit për qeverinë që të kuptojë”, tha Gjini.
Gjini nuk i kurseu as “kunjat” në drejtim të Qeverisë së Kosovës, duke thënë se “Amerika s’ka nevojë për më shumë analiza për një qeveri, që sipas tij, dronat i poston në fb, ndësa pasulin e shpall “sekret shtetëror”.
“M’duhet me ju thanë diçka juve në studio, mos kuptoni që Amerika ka nevojë për më shumë analiza për një qeveri, e cila dronat i qet në facebook e pasulin e shpall sekret shtetëror”, tha Gjini.