Për shkak të motit të keq 300 automjete kanë mbetur të bllokuara në Qafë Murriz prej orësh, pasi reshjet e dëborës me intensitet të lartë kanë bllokuar rrugën. Policia i ka ardhur në ndihmë një familjeje, prindërve me dy fëmijë, që kishin mbetur të bllokuar në Qafë Murriz brenda në makinë, mes temperaturave të ulëta.
Siç shihet edhe nga video, efektivët e policisë marrin në krahë dy fëmijët e vegjël dhe që ishin bllokuar në automjet, dhe i transporton me makinën e një punonjësi policie. Më pas, me një automjet privat të një punonjësi të Policisë, familja është dërguar në destinacion.
Si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës, bypass në Qafë Murrizë vijon të jetë i bllokuar. Pritet që Policia me automjete të kalueshmërisë së lartë, të bëjnë evakuimin e pasagjerëve që ndodhen në automjete ne bypass Qafë Murrizë, për t’i nxjerrë nga zona ku kanë mbetur të bllokuar dhe për t’i transportuar në destinacion, në Klos, Bulqizë.
Shërbimet e Policisë Rrugore të pozicionuar në bypass në Qafë Murrizë, gjatë kontakteve me drejtuesit e automjeteve që janë në pritje të hapjes së këtij aksi rrugor, pasi vijon ende të jetë i bllokuar si pasojë e motit të keq me reshje të dendura të dëborës, kanë marrë informacion se në një automjet ndodheshin të bllokuar dy fëmijë. Menjëherë, shërbimet e Policisë Rrugore kanë shkuar te automjeti, ku kanë marrë fëmijët dhe prindërit e tyre. Më pas, me një automjet privat të një punonjësi të Policisë kanë bërë transportimin e tyre në destinacion”, njofton policia.