Deputeti i Kuvendit nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, Albert Kinolli, ka bërë të ditur se do të zhvillohet një takim me kryetarin e LVV-së, Albin Kurti, për diskutimin rreth formimit të Qeverisë së re.
Kinolli tha se, me kërkesë të Kurtit, takimi do të mbahet pas kthimit të tij nga vizita në Londër.
“Sipas informacioneve që kemi dhe me të cilat jemi dakorduar paraprakisht, po e presim kthimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që pas kthimit të tij nga Londra do të takohemi për formimin e Qeverisë. Do të kem takim unë si përfaqësues i komunitetit Rom, ndërsa për të tjerët nuk kam informacione”, deklaroi ai për RTV21.
Deputeti Kinolli theksoi se asnjë subjekt politik nuk pranon të përfshihet në koalicion pa kushte, por shtoi se janë të gatshëm të kontribuojnë në formimin e institucioneve të reja.
Ai gjithashtu përmendi se presin një marrëveshje gjentëlmene me Kurtin, ku si pjesë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Partia Rome do të marrë atë që i takon, sikurse edhe deputetët tjerë nga partitë e tjera që janë të përfaqësuara në Kuvend me nga një deputet.