Shifrat u publikuan teksa 184 shtete po përpiqen të gjejnë një gjuhë të përbashkët në negociatat në Gjenevë për një traktat, që synon t’i japë fund ndotjes nga plastika.
Studimi i Eunomia dhe Zero Carbon Analytics përqendrohet në prodhimin e disa prej llojeve më të përdorura të polimereve: polietileni (PE), polipropileni (PP), polietileni tereftalat (PET) – që zakonisht përdoret në shishet e pijeve dhe polistireni (PS).
Kina ishte përgjegjëse për 34 për qind të prodhimit të katër polimereve kryesore vitin e kaluar, u tha në studim. Në vendin e dytë janë Shtetet e Bashkuara me 13 për qind, pasuar nga Arabia Saudite dhe Koreja e Jugut me pesë për qind, India me katër për qind, Japonia me tre për qind dhe Gjermania me dy për qind.
Sipas një studimi të mëparshëm nga ofruesi i të dhënave për energjinë, Wood Mackenzie, prodhimi i plastikës është i përqendruar në një grup të vogël të kompanive gjigante, disa prej të cilave janë në pronësi shtetërore.
Në vitin 2021, vetëm 18 kompani në mbarë botën kishin prodhuar më shumë se gjysmën e polimereve plastikë në botë, thuhej në atë studim.