Arlind Manxhuka, zëdhënës i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se kundërshtarët “po blejnë reagime kundërshtuese nga Kina”.
Këtë Manxhuka e ka lidhur me statusin e ministrit të Hekuran Murati i cili dha detaje më shumë për pakon e re qeveritare – aty 2 mijë e 400 like ishin me “haha”, një reagim që e mundëson Facebooku.
“Pasi dështojnë të bindin qytetarët e Kosovës për punët e Qeverisë, janë të detyruar të blejnë “reagime” kundërshtuese me qytetarë nga Kina. Qarja duhet kërkuar diku”, ka shkruar Manxhuka në Facebook.
Në të kaluarën, Lëvizja Vetëvendosje ka qenë e kritikuar pikërisht për “blerje të reagimeve në Facebook”.
Madje, partia që drejtohet nga Albin Kurti ishte akuzuar se “i ka blerë votat nëpër sondazhe televizive si dhe platforma online”.
E me gjasë këtë model tashmë po e marrin partitë opozitare, duke tentuar “të pushtojnë” rrjetet sociale përmes reagimeve ironizuese nëpër statuset e zyrtarëve të shtetit.
E suksesi në rrjete sociale është parë vazhdimisht si një element i rëndësishëm në orientimin e opinionit.