Kimete Berisha, blogere e famshme, ka shkruar një shkrim të gjatë, në të cilin ka komentuar situatën e fundit në veri.
Por në fund të tekstit, zonja Berisha ka komentuar edhe deklaratën e Shefqet Krasniqit, imam në Prishtinë, rreth babadimrit, të cilin e quajti “babadreq”.
“Mos i rrej fëmijët ka babadimër, ai është babadreq, pse po rren”, u shpreh hoxha.
Ndërsa Berisha ka shkruar se ajo është veshur si babadimër për ta “shëruar” nga urrejtja imamin Krasniqi.
Kimete Berisha / Kush fitoi?
“P.S. Jam veshur si babadimër dhe jam nisur drejt shtëpisë së imamit Shefqet Krasniqi. Imami duhet të shërohet nga frika prej Babadimrit, dhe nga urrejtja për krishterët.
Nëse e keni ditur se krishterizmi është ‘i keq’ pse ua keni kopjuar komplet ‘përrallën’ e Librit të Shenjtë!
Nuk besoj se nuk ma çel derën kur më sheh.
Shkrimi i plotë:
Kush fitoi?
Barrikadat nuk i përshkruante si kryeministër, por për to raportonte si spiun i fshehur nëpër çufrra:
– Këta kriminelët qenkan qela – tullacë (se nëse do t’i kishin flokët e gjata – rreziku do të ishte më i vogël);
– Këta kriminelët qenkan me kapuça (se kapuçi përdoret për t’i fshehur qelet).
– Këta qenkan njerëz të Drazha Mihajloviçit (versioni tullacë).
– BE dhe Amerika barrikadat i quanin paqësore.
Se, kamionët ishin të BE, por edhe tymi që i dogji zyret e KQZ-së ishte paqësor, ngadal dhe sigurt iu bashkua paqes qiellore.
Edhe shok- bombat ishin shumë miqësore, i shpërthenin pa qëllim të keq.
– Dhe u bë qysh tha Escobar, simpatizuesi i barrikadave:
‘Ata që i kanë vendosur barrikadat – tha – ata duhet t’i heqin ato’.
Por ‘Ata’ e kishin një kusht.
Për t’i hequr barrikadat, qeveria dhe Presidentja duhet ta lironin nga burgu terroristin Pantiç.
Presidentja kurrë asnjëherë nuk e ka falur asnjë të burgosur shqiptar për shkeljet më të vogla në trafik – por e fali terroristin serb, sepse ashtu e kërkonin serbët.
Albin Kurti e di se KFOR-i nuk kushtëzohet, prandaj e kushtëzonte KFOR-in, duke ia numëruar ditët.
– Kosova e plotësoi kushtin e bandave kriminale dhe e liroi terroristin Pantiç nga i cili varej ekzistenca e shtetit të Kosovës.
Për shkak të arrestimit të terroristit Pantiç u vendosën barrikadat, për shkak të lirimit nga burgu të terroristit Pantiç u hoqën barrikadat.
Pra, kur Escobar tha: ‘Kush i ka vendosur barrikadat duhet t’i heq ato – me marrëveshje’, kërkoi që Kosova t’ua plotësojë kushtin bandave kriminale – ta lirojë nga burgu terroristin Pantiç (me marrëveshje, siç ndodhi).
Nga lirimi i terroristit serb, në mënyrë profesionale u befasua kryeministri Albin Kurti, para dhe pas çufrrave, dhe ministresha e drejtësisë, ajo u habit si një
naturszczyk- e pashoqe.
Rolet e tyre ishin të befasohen, dhe ata ishin shumë bindës kur u befasuan.
– Kur serbët i hoqën barrikadat, Kryeministri tha:
‘Vet i vendosën – vet i hoqën’.
Nuk e përmendi kushtin e tyre kryesor, që ishte lirimi nga burgu i Pantiçit.
Kosova vet e burgosi terroristin serb – vet e liroi.
Pra, Kosova bëri siç kërkuan bandat kriminale serbe, të udhëhequra nga presidenti i Serbisë…dhe siç kërkoi Escobar.
Dhe, barrikadimi vazhdon.
Nga rruga u larguan vetëm kamionët, nga burgu u lirua terroristi.
Tash shqiptarët duhet të zgjedhin: marrëveshje (siç do Serbia), apo luftë siç do Serbia?!
– Thonë se Presidentja Osmani është notere e Albin Kurtit, që të gjitha kërkesave të tij ua bën – Amin.
Ama, kish raste kur Presidentja është edhe Kryeministre.
Tha vet në Rubikon se pa dijeninë e kryeministrit ia ka kërkuar Amerikës 48 orë (për lirimin nga burgu të Pantiçit, – shënimi im).
– Presidentja Kryeministre – Listën e Armend Mujës (deputet i VV), se kush duhet të burgoset e kush jo e quajti ‘sharm i demokracisë’.
A ka sharm më i madh në demokraci se sa ta dish zyrtarisht se kush janë kriminelët dhe pastaj t’i amnistosh!
– Asgjë nuk ka ndryshuar.
Serbët e kërkojnë Asociacionin – por nuk po marrin vesh anipse Presidentja dhe Kryeministri sa po munden po u thonë:
‘Ne nuk krijojmë Aspciacionin – Asociacionin bëjeni vet’!
Pra, na vëni para aktit të kryer!
P.S. Jam veshur si babadimër dhe jam nisur drejt shtëpisë së imamit Shefqet Krasniqi.
Imami duhet të shërohet nga frika prej Babadimrit, dhe nga urrejtja për krishterët.
Nëse e keni ditur se krishterizmi është ‘i keq’ pse ua keni kopjuar komplet ‘përrallën’ e Librit të Shenjtë!
Nuk besoj se nuk ma çel
derën kur më sheh.
Nijetin e kam të mirë.
Nijetin e kam të mirë.”-ka shkruar ajo.