Publicisti dhe analisti i njohur shqiptar, Kim Mehmeti, ka komentuar zhvillimet politike në Maqedoninë e Veriut, me theks të veçantë në raportet mes partive maqedonase dhe atyre shqiptare, si dhe ndikimin që ka VMRO-ja.
I ftuar në emisionin “Këndi i debatit” në Tëvë1, Mehmeti deklaroi se partia maqedonase VMRO është aktualisht e interesuar që ta dobësojë BDI-në, dhe përmes saj, të dobësojë vetë faktorin politik shqiptar.
“Momentalisht VMRO-ja është e interesuar që sa më shumë ta dobësojë BDI-në. Të gjitha partitë maqedonase, por kryesisht VMRO-ja, kanë një qëllim që t’i defaktorizojnë shqiptarët – dhe deri diku ia kanë arritur,” u shpreh Mehmeti.
Ai shtoi se krijimi i qeverisë me koalicionin VLEN, i cili sipas tij nuk përfaqëson shumicën e shqiptarëve, ka kontribuar në këtë proces të defaktorizimit.
“Me vetë VLEN-in në qeveri, që nuk e përfaqëson shumicën e shqiptarëve, është bërë një hap drejt defaktorizimit të tyre,” tha ai.
Sipas Mehmetit, strategjia e VMRO-së nuk duhet të fokusohet vetëm në dobësimin e BDI-së, por në krijimin e një narrative ku BDI-ja nuk është më faktori kryesor shqiptar në qeverisje.
“VMRO-ja duhet të përqendrohet që të dëshmojë se BDI-ja nuk është ndonjë forcë në këtë koalicion, por VLEN-i,” theksoi Mehmeti.
Ai gjithashtu kritikoi fragmentimin e skenës politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, duke e quajtur arsyen kryesore të dobësimit të fuqisë politike të shqiptarëve.
“Shqiptarëve po ju ndodh ajo që sipas meje është shumë e rrezikshme – ata tash do ta kenë çdo qytet me partinë e vet. Edhe ashtu të copëzuar, ata defaktorizohen,” paralajmëroi Mehmeti.
Në përfundim, ai theksoi se mungesa e një përfaqësimi të unifikuar po ndikon që shqiptarët të duken më të dobët në skenën politike maqedonase sesa që janë në të vërtetë.
“Shqiptarët në Maqedoni duken më pak se që janë, sepse nuk kanë potencial politik të bashkuar,” përfundoi Mehmeti.