Rusia ka grumbulluar 110,000 trupa në afërsi të Pokrovskut, si pjesë e përpjekjeve të saj për të marrë kontrollin e qytetit strategjik në lindje të Ukrainës, tha të premten shefi i ushtrisë ukrainase.
Oleksandr Syrskyi tha të premten se zona përreth Pokrovskut ishte “vendi më i nxehtë” përgjatë vijës së frontit prej 1,200 kilometrash (745 milje) që shtrihet në të gjithë lindjen.
Forcat ruse janë përpjekur të pushtojnë Pokrovskun për gati një vit , duke organizuar një ofensivë të ashpër pas tjetrës. Por, pavarësisht se ka një avantazh të qartë për sa i përket numrit të trupave dhe armëve në dispozicion, Moska nuk ka arritur ta marrë qytetin.
Pokrovsk është një objektiv strategjik për Moskën. Presidenti rus Vladimir Putin e ka bërë të qartë se qëllimi i tij është të pushtojë të gjitha rajonet lindore të Ukrainës, Donetsk dhe Luhansk, të cilat forcat e tij i kanë pushtuar pjesërisht.
Kievi dhe aleatët e tij akuzojnë presidentin rus, Vladimir Putin, për zvarritje të përpjekjeve për paqe, në mënyrë që forcat e tij të mund të pushtojnë më shumë territor ukrainas.
Edhe pse nuk është një qytet i madh, Pokrovsk ndodhet në një rrugë kyçe furnizimi dhe hekurudhë që e lidh atë me qendra të tjera ushtarake në zonë. Së bashku me Kostiantynivka, Kramatorsk dhe Sloviansk, ai formon shtyllën kurrizore të mbrojtjes ukrainase në pjesën e rajonit të Donetskut që është ende nën kontrollin e Kievit.