Ukraina dhe Rusia kanë rënë dakord të zhvillojnë një raund të dytë bisedimesh të drejtpërdrejta për paqe të ndërmjetësuara nga SHBA-të fundjavën e ardhshme pas një takimi dy-ditor në Abu Dhabi.
Dhe ky lajm vjen pavarësisht ankesave të ukrainasve se negociatat u minuan nga një breshëri sulmesh vdekjeprurëse.
Bisedimet trepalëshe në Emiratet e Bashkuara Arabe do të rifillojnë më 1 shkurt, tha një zyrtar amerikan të shtunën.
Ai shtoi: “Mendoj se takimi i të gjithëve së bashku ishte një hap i madh. Mendoj se është një konfirmim i faktit se, së pari, është bërë shumë përparim deri më sot në përcaktimin e detajeve të nevojshme për të arritur në një përfundim”.
Bisedimet ishin kontakti i parë i njohur i drejtpërdrejtë midis zyrtarëve ukrainas dhe rusë mbi një plan që po shtyhet nga Donald Trump për t’i dhënë fund luftës gati katërvjeçare.
E presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky theksoi se “u diskutua shumë dhe është e rëndësishme që bisedat të ishin konstruktive”.
Por Rusia u kritikua për nisjen e sulmeve me dronë dhe raketa në Kiev dhe Kharkiv – dy qytetet më të mëdha të Ukrainës – gjatë bisedimeve të paqes në Abu Dhabi.
“Përpjekje për paqe? Takim trepalësh në Emiratet e Bashkuara Arabe? Diplomaci? Për ukrainasit, kjo ishte një tjetër natë terrori rus”, tha ministri i jashtëm i vendit, Andrii Sybiha, pas sulmit të fundit rus në infrastrukturën kritike.
Me Kievin dhe qytete të tjera në mes të ndërprerjeve të gjera të ngrohjes, ujit dhe energjisë elektrike pas sulmeve ruse në infrastrukturën energjetike, zyrtarët në kryeqytet thanë se një person ishte vrarë dhe të paktën 15 të plagosur në sulmet që vazhduan deri në mëngjes. /Telegrafi/






