Deputetja e Lidhjes Demokratike, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar lidhur me procesin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, duke theksuar se partia e saj i ka qëndrimet të pandryshuara.
Kica-Xhelili tha se LDK ka marrë pjesë në votime për kryekuvendar si obligim kushtetues, duke sqaruar se vota nënkupton edhe mundësinë e votës kundër. Ajo kritikoi disa deputetë të cilët, sipas saj, nuk e kuptojnë këtë parim bazik.
Deputetja kujtoi se LDK kishte ofruar një qeveri uniteti deri në muajin mars për tejkalimin e krizës politike, por kjo nuk ishte pranuar nga pala tjetër. Ajo akuzoi partinë fituese se po e trajton Kuvendin si një “lojë shahu pa mbret e mbretëreshë”, duke vepruar me lëvizje të paqarta dhe të pakuptimta politike.
“Që në fillim u kemi thënë që marrim pjesë në votim për kryekuvendar sepse është obligim i yni kushtetues. Për ish-ministrat/deputetë që nuk i kuptojnë as gjërat më bazike, të votosh nënkupton dhe votimin kundër.
U kemi thënë që pa marrëveshje politike, nuk ka votë Për, e me ta nuk duam e as s’bëjmë marrëveshje. Pa taktizime, pa kalkulime veçse qëndrim i qartë politik.
Ofruam qeveri uniteti deri në mars për tejkalimin e krizës politike, nuk deshën.
Partia e parë dukshëm e merr Kuvendin seriozisht veç sa për lojë shahu pa mbret e mbretëreshë, me veç një oficer operativ që “rrezikon” herë njërën figurë e herë tjetrën në një vetëkënaqësi të pakuptimtë.
E tjerët që janë të gatshëm të bëjnë kompromise për kryekuvendar kanë sot emër dhe përgjegjësi – dhe kjo është në rregull. Me qëndrime publike, natyrshëm, vjen përgjegjësia. Secili në të drejtën e tij, poaq sa përgjegjësinë pas të drejtës. Nuk jemi të njëjtë e as s’duhet të jemi.
LDK mbetet këtu. Qëndrimet po ato – e qëndrimet tona nuk varen nga euforitë kalimtare sepse shteti nuk është “impuls”, por vetëdije.”