Nënkryetarja e LDK-së, njëherësh deputete e kësaj partie, Doarsa Kica-Xhelili, ka thënë se Gjykata Kushtetuese sot ka folur dhe tregoi që kishin drejtë gjatë gjithë kohës.
Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se Kosova kurrë nuk ka pasur shkelës më brutal të Kushtetutës.
“Gjykata Kushtetuese foli! Kishim pasur të drejtë tërë kohën! Albin Kurti, përmes Avni Deharit, ka shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës në secilën seancë që nga data 1 maj, kur na ka detyruar të votojmë për komision të fshehtë, duke na pamundësuar të votojmë Për/Kundër/Abstenojmë për kandidatin për Kryetar të Kuvendit”, u shpreh ajo.
Tutje, ajo tha se “Kosova kurrë nuk ka pasur shkelës më brutal, sistematik, me mungesë bazike të njohurive kushtetuese (me gjasë dhe të qëllimshme), të papërgjegjshëm e joetik se Lëvizjen Vetëvendosje, pa dallim”.