Home Lajme Kica-Xhelili kritikon Qeverinë: Këtë lëndim Kosova s’ua pati borxh, as kur gjuheshin sprej syve e gaz dikur, as grushta sot

Kica-Xhelili kritikon Qeverinë: Këtë lëndim Kosova s’ua pati borxh, as kur gjuheshin sprej syve e gaz dikur, as grushta sot

0
Kica-Xhelili kritikon Qeverinë: Këtë lëndim Kosova s’ua pati borxh, as kur gjuheshin sprej syve e gaz dikur, as grushta sot

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka kritikuar Qeverinë duke numëruar disa nga dështimet e kësaj Qeverie.

“Këtë lëndim Kosova s’ua pati borxh. As kur gjuheshin fytyrës, sprej syve e gaz dikur, as grushta sot. As kur kërkoheshin pretekste për veprimet atëherë, as sot”, ka shkruar Kica-Xhelili.

Postimi i plotë:

Ky ishte fjalimi im i planifikuar për sot, në emër të grupit parlamentar, në seancën e fundit të këtij sesioni.

Në pamundësi për ta adresuar me që shumica arbitrarisht e ndërpreu seancën, po e postoj më poshtë:

Ky ishte një sesion parlamentar shumë i vështirë!

Sot, është e kotë të numërojmë ligje të votuara e ligje të rrëzuara. Sot, jemi bashkë pranë një tempulli demokratik të lënduar.

Për ata që s’e shohin, sinqerisht më vjen keq! Sepse të shohësh e dëgjosh atë që ke para hundës, është edhe zgjedhje, jo vetëm mundësi fizike.

Këtë lëndim Kosova s’ua pati borxh. As kur gjuheshin fytyrës, sprej syve e gaz dikur, as grushta sot. As kur kërkoheshin pretekste për veprimet atëherë, as sot.

As atëherë kur individë të caktuar drejtësinë e lëndonin sistematikisht e fshehtë, as sot që po e lëndon qeveria haptas.

Nuk ia pati borxh as disave që gëlltisnin copë Kosove si të ishin të vetat, as dikujt që Kosovën se pa kurrë si shtet e prandaj s’e ka problem ta gëlltisë të plotë.

Është e lehtë sot të manovrosh me atë që e prezenton si realitet. Si të vërtetë hyjnore. Është lehtë të manipulosh sepse ne të tillë jemi. Duam ta besojmë të lehtën. Sot, bëhen llogari politike MBI faktin që jemi kaq optimistë e rrallë realistë. Kjo është e ligë. Por jo e paparë.

Demokracia ose është, ose nuk është. Mesin e zgjedhin vetëm demagogët.

Derisa Kosova shkon drejt palestinizimit, shporta e familjes nuk po rëndon më shumë nga pesha, por nga çmimi.

Në spitale po vdes shpresa bashkë me pacientët.

Testet e maturës janë pasqyra më e dhimbshme e dështimit tonë shoqëror.

Zbrazja masive e mungesa e punëtorëve është tehu i tmerrit nëpër të cilin po shkojmë.

E JU çka po bëni për qytetarë qe tre vite?

Ministra që vijnë jo për të raportuar, por për t’bërë gara kush po fyen më keq.

Këtu bëni beteja politike nën brez, e na akuzoni të gjithëve si qenkemi të Vuçiçit, e me Radojçiçin flisni lirshëm për veteranë e kolegë shqiptarë. E propaganda e fëlliqur po rrezikon jetë njerëzish e ju s’e keni aspak problem.

Kjo s’është më as hipokrizi, se hipokrizinë tuaj se kemi problem. E kemi problem përçarjen që e ushqeni, e që lëndoni frymën demokratike kosovare me çdo frymëmarrje tuajën.

Kosova mund të shikojë pas për të mësuar por jo për t’u përçarë. Jo për t’u bërë copë mes vete.

Kosova ka nevojë URGJENTE të kthehet në rrugën e saj të vërtetë, e të ecë para. Të kthehet në rrugë të re të politikbërjes, por JO rrugë të re identitare, sidomos jo për LDK-në. Rrugën identitare e shtruan të parët tonë, por na u pre përgjysmë.

E krijuan ata që dikur, duke qenë të zot të kësaj demokracie formësuan kuptimin e vërtetë të këtij shteti. Ne duhet të riafirmojmë ATË kuptim, ATË të vërtetë që u fol ndër breza, që kjo shtëpi e jona, e vetme dhe e parezervë nuk mbahet as pa miq, por as e ndarë kaq keq përbrenda. ATA që i dhanë kuptim miqësisë.

ATA që na konfirmuan pavarësinë e demokracinë nuk janë vetëm MIQ e aleatë. Pamjet e pasluftës teksa KOSOVARË të çliruar në trup e shpirt bërtisnin NATO, NATO janë për shkak të ATYRE që besuan se RRUGA E VETME PËR NE, është integrimi euroatlantik me miqësi të përhershme me SHBA-të.

Kjo është pjesë e qenies dhe tërësisë sonë, kjo nuk është politikë. Aq më pak jo eksperiment. Kjo është Kosova. Kjo duhet të jetë Kosova.

Ngecja në të kaluarën ka dhënë mësime të rëndësishme, por më tepër shpërfaqi ligësinë e politikës që të shkatërrojë shpresën. Por nuk mundemi më kështu. Kjo shoqëri nuk ka më fuqi për të ndihmuar në shkatërrim. Nuk kemi as atdhe rezervë, as kohë rezervë, as rini rezervë për ta humbur.

Kosovën duhet me e dashtë, si Kosovë. Si atdhe të vetëm MES shtetesh demokratike. Kosovën NUK mund ta duash në izolim. Në izolim mbyllen ata që duan veten jo vendin. EGO-ja është personale, jo shtetare. DINJITETI është shtetar, por DINJITETI ynë është IDENTITAR dhe si i tillë u shtrua para nesh.

Borxhi ynë mbetet të kthehemi ATY. Në rrugën e vjetër identitare, e rrugë të re politike.

Dashuria për Kosovë, sikurse për Zotin e natyrën, do të duhej të na bëjë bashkë.

Kjo është rruga e vetme.

Doarsa R. Kica

Exit mobile version