Ish-kampioni i pamposhtur i UFC-së dhe tashmë trajner, Khabib Nurmagomedov, ka reaguar publikisht ndaj shkarkimit të Xabi Alonsos nga posti i trajnerit të Real Madridit, duke dalë hapur në mbështetje të teknikut spanjoll.
“Nuk ka rëndësi nëse je në palestër apo në fushë, nëse punon me luftëtarë apo futbollistë – si trajner je shefi dhe udhëheqësi. Por nëse në ekipin tënd ekziston një ambient ku kërkesat e tua nuk respektohen, atëherë nuk jeni në të njëjtën rrugë,” ka shkruar Nurmagomedov.
Khabib vlerësoi lart figurën e Alonsos, duke e renditur atë mes trajnerëve më të mirë të epokës moderne.
“Unë besoj se Alonso është ndër tre trajnerët më të mirë sot. Nëse ekipi nuk ka funksionuar me të, atëherë duhet të ndryshohen lojtarët, jo trajneri,” theksoi ai.
Në një reagim edhe më të ashpër në rrjetet sociale, ish-luftëtari i MMA-së kritikoi kulturën e dhomës së zhveshjes në Madrid.
“Jam absolutisht i sigurt se asnjë trajner nuk do të merrej lehtë me një skuadër si kjo e Real Madridit. Duhet të heqësh qafe lojtarët problematikë. Një vit më parë e luteshin, tani e shkarkojnë për shkak të fëmijëve të llastuar. Xabi, TI JE MË I MIRI,” shkroi Khabib.
Nurmagomedov, i cili ka pranuar më herët se është tifoz i Real Madridit që nga viti 1998, e lidh pasionin e tij me finalen e Ligës së Kampionëve të atij viti.
Ndërkohë, sipas raportimeve të “The Athletic”, arsyeja kryesore e largimit të Alonsos lidhet me mosmarrëveshje të brendshme me disa prej lojtarëve kryesorë të skuadrës, përfshirë Vinícius Júnior, Federico Valverde dhe Jude Bellingham, të cilët nuk ishin të kënaqur me qasjen taktike dhe stilin e menaxhimit të trajnerit.
Një tjetër version vjen nga radiostacioni spanjoll “La SER”, i cili citon një deklaratë të Alonsos në momentin e largimit.
“Nuk mund t’u japësh lojtarëve kaq shumë pushtet. Është e pamundur që një trajner të ketë autoritet në dhomën e zhveshjes nëse klubi është gjithmonë në anën e lojtarëve”, kishte thënë spanjolli.








