24.8 C
New York
Thursday, July 3, 2025

Buy now

KFOR: Vazhdojmë ta mbajmë praninë të fiksuar mbi lumin Ibër

- Advertisement -

Forca paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se vazhdon që ta mbajë praninë e fiksuar në urën kryesore mbi lumin Ibër. KFOR tha se një prani e mban edhe në Mitrovicën e Veriut dhe është i gatshëm që t’i përgjigjet zhvillimeve të sigurisë.

Zyrtarë të KFOR-it nuk komentuan nismat e Qeverisë së Kosovës për ndërtimin e dy urave shtesë mbi lumin Ibër, gurëthemeli i së cilave u vendos, të martën, nga kryeministri në detyrë Albin Kurti.

Ky i fundit tha gjatë vënies së gurëthemelit të urave në Mitrovicë, se nuk “dëshiron fërkime, përfshirë edhe karabinierët italianë” që ndodhen  në urën kryesore dhe theksoi se  “po presin kur të binden që ura ka nevojë për qarkullim edhe të automjeteve, jo për persona të uniformuar”.

“KFOR-i mban një prani të fiksuar në urën kryesore mbi lumin Ibër dhe kryen patrullime të rregullta në zonat përreth për të siguruar një mjedis të sigurt. KFOR-i gjithashtu mban një prani të dukshme dhe fleksibile në Mitrovicën e Veriut, si dhe në të gjithë Kosovën, dhe është i gatshëm t’i përgjigjet çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë në dobi të të gjitha komuniteteve në Kosovë. KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, si dhe në lirinë e lëvizjes; në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë, tha KFOR në përgjigjen për rtv21 .

KFOR tha në përgjigjen e tij se vazhdon ta zbatojë mandatin e tij nga OKB-ja dhe kontribuon për një mjedis të qetë dhe të sigurt “për të gjithë qytetarët e Kosovës si dhe lirinë e lëvizjes në çdo kohë, në mënyrë të pavarur, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in”..

Forca paqeruajtëse e NATO-s kundërshtoi vitin e kaluar hapjen e njëanshme të urës kryesore mbi lumin Ibër, pas paralajmërimeve të Qeverisë së Kosovës. KFOR tha se çdo vendim për hapjen e urës duhet të merret në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Tensionet në veriun e Kosovës shpërthyen në maj të vitit 2023 pas përpjekjeve për të vendosur në zyrat e Komunave, udhëheqëst e rinj të zgjedhur në zgjedhjet e jashtëzakonshme për katër komunat. Të paktën 90 ushtarë të KFOR-it u lënduan në përplasjen me protestues serbë. Forca paqeruajtëse e NATO-s shtoi praninë e saj me mbi 1000 ushtarë pas zhvillimeve në Banjskë të Zveçanit, kur një pjesëtar i Policisë së Kosovës

u vra nga grupi i armatosur serb i udhëhequr nga Milan Radojçiq. Ai e mori përgjegjësinë për sulmin terrorist dhe gjerësisht besohet se gjendet i lirë në Serbi. Kosova e Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave të përfshirë në sulmin në Bansjkë, nga të cilët tre ndodhen në paraburgim dhe ka nisur gjykimi ndaj tyre.

Të ngjashme

Të fundit