Ndonëse Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për lëvizje të forcave serbe në kufi me Kosovën përgjatë fundit të muajit maj 2025 që synonin një përshkallëzim të mundshëm, KFOR në një përgjigje për Express kanë thënë se nuk kanë vërejtur ndonjë ndryshim të ndjeshëm të pranisë së tyre kohëve të fundit në anën e Serbisë dhe kanë sqaruar se forcat e armatosura të Serbisë e njoftojnë KFOR-in në mënyrë të rregullt për çfarëdo lëvizje në afërsi të kufirit me Kosovën.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, konfirmimin e bërë nga Washingtoni se presidenti amerikan Donald Trump kishte ndalur një sulm të Serbisë ndaj Kosovës “very very recent”, i është dashur ta sqarojë në një konferencë për media pas kthimit në Prishtinë nga një vizitë disa ditëshe jashtë vendit. E para e shtetit ka deklaruar se gjatë fundit të muajit maj kishte pranuar informacione specifike për lëvizje të forcave serbe dhe se për këtë kishte njoftuar të gjitha institucionet e sigurisë.
“Në të gjitha takimet përgjatë vizitës kemi folur edhe për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë. Siç e dini të gjithë gjatë vizitës sime në SHBA kam deklaruar se Serbia ka pasë për qëllim dhe ka ende për qëllim që të destabilizojë situatën në gjithë rajonin tonë dhe të përshkallëzojë situatën në Kosovë. Ky vlerësim është bërë mbi bazën e informatave të vazhdueshme që ne si institucione i marrim nga institucionet e sigurisë të Republikës së Kosovës. Më konkretisht, në fund të muajit maj kemi marrë informacione të reja specifike lidhur me veprimet e Serbisë në kufi me Kosovën. Menjëherë pas marrjes së këtyre informatave kemi pasë takime me institucione të sigurisë të cilat me raportojnë si presidente. Jemi siguruar që çdo institucion në Kosovë ka mobilizimin e duhur për mbrojtjen e vendit”, kishte thënë presidentja Osmani.
Lidhur me këtë deklarim të presidentes së Kosovës, Gazeta Express ka drejtuar dy pyetje specifike në adresë të misionit paqeruajtës shumëkombësh të KFOR-it, të cilët kujdesën për sigurinë e Kosovës në vijën kufitare me Serbinë.
Pyetja I: A keni marrë ndonjë njoftim zyrtar nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë majit 2025, ose në ditët e para të qershorit, se forcat serbe po lëvizin përreth kufirit të Kosovës dhe ka ndonjë rrezik për lëvizje destabilizuese?
Pyetja II: Apo a e keni njoftuar ju, si KFOR, Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për një gjë të tillë gjatë majit 2025 [nëse ka pasur një lëvizje të tillë të forcave serbe], meqenëse KFOR është i pranishëm në kufirin midis Kosovës dhe Serbisë?
Nga KFOR ekakluzivisht për Gazetën Express kanë thënë se kohëve të fundit nuk kanë vërejtur ndonjë ndryshim të ndjeshëm të prezencës së forcave të armatosura serbe në pjesën e Serbisë përgjatë vijës kufitare.
Gjithashtu kanë theksuar se forcat e armatosura serbe në baza të rregullta e njoftojnë KFOR-in për vendosjen dhe akvtivitetet e tyre operacionale.
“Kohët e fundit nuk kemi vërejtur ndonjë ndryshim domethënës në praninë e Forcave të Armatosura Serbe në anën serbe përgjatë Vijës Kufitare Administrative. Bazuar në procedurat ekzistuese, Forcat e Armatosura Serbe e mbajnë rregullisht KFOR-in të informuar në lidhje me vendosjen e forcave dhe aktivitetet e tyre operative në afërsi të Vijës Kufitare Administrative.”, kanë thënë për Gazetën Express nga Zyra për Media e KFOR-it.
Gjithashtu kanë theksuar se Komandanti i KFOR-it ka komunikim të rregullt me të gjithë homologët e tij, përfshirë përfaqësuesit e organizatat e sigurisë në Kosovë dhe shefin e shtabit të forcave të armatosura të Serbisë
“Komandanti i KFOR-it ka komunikime të rregullta me të gjithë homologët e tij, përfshirë përfaqësuesit e organizatave të sigurisë në Kosovë dhe Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura Serbe, Gjeneral Major Milan Mojsilovic. Kjo na ndihmon për të mbrojtur dhe avancuar më tej dijeninë tonë për situatën ”, ka përfunduar ky zëdhënës i KFOR-it, duke sqaruar se vazhdojë të mbajnë prezencën e zonës kufitare dhe nga afër e monitorojnë situatën.