Misioni i KFOR-it ka reaguar pas pretendimeve të Alicia Kearns, deputete në Britaninë e Madhe, se Serbia po kontrabandon armë në Kosovë përmes autoambulancave, të cilat më pas po shkarkohen në Kishat Ortodokse dhe se për këtë ishte në dijeni KFOR-i.
Në një reagim KFOR-i tha se nuk ka asnjë provë për t’i konfirmuar këto pretendime.
“Prezenca e supozuar e paligjshme e armëve u raportua në shtabin e KFOR-it, por pas hetimeve të mëtejshme për të gjetur konfirmimin e kësaj, nuk doli asnjë provë për atë që u raportua. Nuk ka asnjë dëshmi për kontrabandën e supozuar që ishte kryer përtej vijës kufitare administrative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Kishën Ortodokse në ambulancë”, ka thënë KFOR-i.
KFOR-i po ashtu thekson se ky lloj aktiviteti i takon sundimit të ligjit, që është përgjegjësi e organizatave të sigurisë së Kosovës.