Tema e hapjes së Urës së Ibrit pasi ishte aktualizuar në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut muaj më parë, është bërë së fundi edhe temë në takimin e kryeministrit Albin Kurti me përfaqësues të vendeve të QUINT-it dhe shefin e Zyrës së BE-së.
Përmes një komunikate për media të lëshuar nga Qeveria e Kosovës është konfirmuar e në takimin e javës së kaluar në Qeverinë e Kosovës është diskutuar edhe për hapjen për vetura të Urës së Ibrit.
“Në kuadër të informimit dhe koordinimit me partnerët tanë ndërkombëtarë, temë trajtimi në këtë takim ishte gjithashtu rëndësia e bashkërendimit të veprimeve institucionale për hapjen e urës mbi lumin Ibër edhe për vetura, në mënyrë që të mundësohet liria e plotë e lëvizjes e cila i ndihmon qytetarët në të dy anët e urës, pa dallim, dhe në të njëjtën kohë i shërben zhvillimit të ekonomisë dhe tregut përmes lëvizjes më të lehtë të mallrave dhe kapitalit”, thuhej në njoftimin e Zyrës për Media të Qeverisë së Kosovës më 17 korrik.
Por çfarë thonë për hapjen e Urës së Ibrit ata që janë të pranishëm në mënyrë konstante në Urën e Ibrit dhe në zonat përreth.
Në një përgjigje për Gazetën Express nga zyra për media e KFOR-it kanë thënë se vazhdojnë të japin kontributin e tyre për një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë “në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, duke përfshirë prezencën fikse në urën e Mitrovicës dhe patrullimet e rregullta në zonat përreth”,
Nga KFOR potencojnë se çdo vendim për hapjen e Urës së Ibrit duhet të merret në Bruksel në kudaër të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë, negociata këto që NATO vazhdon t’i përkrahë, përfshirë edhe përpjekjet e KFOR-it.
“Çdo vendim në lidhje me urën e Mitrovicës duhet të merret në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të cilin NATO vazhdon ta mbështesë, duke përfshirë përpjekjet e KFOR-it”, kanë thënë nga KFOR-i.
Sot për Urën e Ibrit ka folur edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano. Stano ka thënë se çdo vendim duhet të merret në kuadër të dialogut dhe ka bërë thirrje që palët të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara.