Në parim, një dëbim i detyrueshëm nga vendi mund të vendoset për një periudhë prej pesë deri në maksimum 15 vjet. Kohëzgjatja e periudhës së dëbimit vendoset nga gjykatat pavarësisht nga masa e dënimit për krimin e kryer, transmeton albinfo.ch. Në një artikull të shkruar enkas, gazeta Blick sqaron se në cilat raste të huajve u hiqet leja e Qëndrimit të Përhershëm (Viza C).
Deliktet që ndiqen nga pozita zyrtare
Këtu hyjnë: të gjitha llojet e vrasjeve, vetëvrasja e asistuar, zjarrvënia. Po kështu edhe ëndimet e rënda trupore dhe gjymtimi mund të çojnë në dëbim. Vjedhja, mashtrimi dhe shkelja, si dhe abuzimi me kartën e kreditit, mund të rezultojnë gjithashtu në tërheqjen e lejes suaj të qëndrimit të përhershëm.
Deliktet në trafik
Ajo që mund të tingëllojë e çuditshme, por mund të përfundojë shumë keq, është pengimi i transportit publik – edhe veprat si kjo ndëshkohen me heqjen e lejes së përhershme të qëndrimit
Përhapja e sëmundjeve
Kushdo që ndot ujin e pijshëm ose përhap sëmundje, mund të dënohet me heqjen e Vizës C.
Rrezatimi jonizues
Rreziku nga energjia bërthamore, radioaktiviteti dhe rrezatimi jonizues, dëmtimi i qëllimshëm i sistemeve elektrike, strukturave hidraulike dhe pajisjeve mbrojtëse – të gjitha këto “flasin” në gjykatë në favor të dëbimit nga vendi, transmeton albinfo.ch. Si kriter llogariten edhe përmbytjet dhe shembjet që shkaktohen qëllimisht.
Trafikimi i qenieve njerëzore
Të gjitha aktet seksuale që kryhen pa pëlqimin e partnerit seksual, si dhe nxitja e prostitucionit dhe akteve seksuale me fëmijë janë arsye për dëbim nga vendi. Martesa e detyruar, trafikimi i qenieve njerëzore, rrëmbimi dhe pengmarrja konsiderohen gjithashtu arsye për dëbim.
Terrorizmi dhe krimet e luftës
Gjithashtu shkak për dëbim është pjesëmarrja në organizata terroriste apo kriminale. Dëbimi gjithashtu pason krimet kundër njerëzimit, gjenocidin dhe krimet e luftës.
Rastet me rrethana lehtësuese
Në parim, dëbimi nga vendi shmanget vetëm “nëse kjo do të shkaktonte vështirësi serioze personale për të huajin” – për shembull për njerëzit që kanë lindur dhe janë rritur në Zvicër.
Vetëmbrojtja mund të konsiderohet gjithashtu një arsye për të shmangur dëbimin, përcjell albinfo.ch. Për të gjitha krimet e tjera mund të urdhërohet një dëbim jo i detyrueshëm nga vendi.