Në Kosovë po vazhdon procesi i numërimit të votave për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve vazhdon procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht nga votimi në përfaqësi diplomatike.
Sipas të dhënave të përditësuar në orën 23:48 në faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, janë numëruar 49.19% e kutive.
Nga këto numërime lëvizja Vetëvendosje ka marrë 81.89%, LDK-ja, 7.21, PDK-ja 5.75%, AAK-Nisma, 1.54% dhe Koalicioni për Familjen ka marrë 1.07%.
Votimi jashtë Kosovës është është zhvilluar në 30 përfaqësi diplomatike, me gjithsej 43 vendvotime.
Nga 20 mijë e 324 votues të regjistruar, kanë votuar 75.57% e tyre apo 15 mijë e 352.
“Me ka krejt”, shkroi Fitore Pacolli e Vetëvendosjes duke i dhënë konkluzion krejt votës së jashtme bazuar në ato vota në konsulata.
15 mijë vota llogariten të jenë në diapsorë – apo, siç e ka matur Shenoll Muharrmei, 18% e votës së përgjithshme e diasporës – pjesa e tjetër e të cilave është votim me postë.
Por, Vetëvendosja provoi të krijojë bindje dhe t’ia çesë totalin me copëza-copëza si “84%”, “90%” – duke e çuar në lartësi të paqena.
Gëzimin e parakohshëm e kanalizoi në sulme ndaj partive politike, Fitore Pacolli, duke shkuar në trajta si “tutna s’kanë me i lanë mërgimtarët m’u kthy në Kosovë”.
Tjerë si Mefail Bajqinovci shkruar gjoja se partitë politike kanë “ofenduar me lloj lloj epiteti kundër mërgatës, zi e terr pa ndal” dhe se vota për Vetëvendosjen është shpagimi.
Anash deklarimeve politike, Vetëvendosja para-matet të jetë diku rreth 65% të votës së përgjithsme të diasporës, bazuar në atë çka kanë matur Exit Poll-et ditën e zgjedhjeve kur kanë anketuar votues të diasporës që kanë ardhur në Kosovë për të votuar.
Kjo është projektuar të jetë edhe përkthimi i votës së përgjitshme të diasporës.
Me 65% votë të diasporës Vetëvendosja do të qëndronte në 48 deputetë.
Megjithatë, statisticientë e njohës të shifrave kanë projektuar të gjitha skenaret e mundshme të votës së diasporës dhe në sa mandate shtesë (ose jo) i përkthehen Vetëvendosjes.
Matjet e Shenoll Muharremit:
- LVV: Vota 40% / Mandate 45
- LVV: Vota 50% / Mandate 47
- LVV: Vota 60% / Mandate 48
- LVV: Vota 65% / Mandate 48
- LVV: Vota 70% / Mandate 49
- LVV: Vota 80% / Mandate 50
Nga Komisioni Qendror Zgjedhor kanë thënë se “shpejt” dalin në uebfaqen zyrtare rezultatet e votimeve në konsulata dhe ambasada të Kosovës jashtë vendit.
Fill pas kësaj, thanë ata, nisen procedimi dhe numërimi i 63 mijë zarfeve të votave të dërguara me postë nga diaspora.
Në rrafshin e përqindjeve të votës së diasporës me postë dhe votimeve fizike, Muharremi i dha këto shifra.
“Sa për me e kuptu kontekstin, i kemi pasur rreth 104 mijë vota nga diaspora të regjistruara. Nga to, rreth 84 mijë janë realizuar, ndërsa rreth 79 mijë do të numërohen. Këto tani, të ambasadave, janë rreth 15.3 mijë vota. Pastaj i kemi edhe 63.7 mijë të tjera që duhet të numërohen”, shkroi ai.
“Nga totali, janë 19.4% të ambasadave, 80.6% tjera me postë që do të numërohen.Të shohim dhe t’i presim, me disiplinë, numërimin e votave për të kuptuar rezultatet dhe mandatet finale”, tha ai.
Valmir Elezi nga KQZ tha se pas numërimit të votave të diasporës, numërohen ato me kusht.
“Gjithashtu, pas përfundimit të numërimit të votave nga përfaqësitë diplomatike, po planifikojmë që të fillojmë me numërimin e fletëvotimeve nga votimi përmes postës. Sipas të dhënave, pas procesit të vlerësimit, janë aprovuar më shumë se 63 mijë zarfe të supozuara me fletëvotime që do të numërohen.
Dhe pasi të përfundojë numërimi i fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, në proces të numërimit do të përfshihen fletëvotimet nga votimi me kusht i cili është zhvilluar në 56 vendvotime dhe fletëvotimet nga votimi i personave me nevoja të veçanta.
Prapa nesh janë 11 tavolina të numërimit të votimit dhe janë më shumë se 15 mijë votime dhe është e pamundur të dijmë se sa mund të zgjasë. Besohet se do të bëhet në kohën sa me shpejtë”, ka thënë ai.