Pas dy vitesh funksionimi, Prokuroria pritet të përfundojë me dëshmitarët e saj në Dhomat e Specializuara në Hagë. Ndonëse nuk kanë bërë të ditur se edhe sa të tillë do të dëshmojnë këtë javë, sipas prokurorisë, lista përfundon së shpejti.
Pas saj, sipas Dhomave të Specializuara, do të vijë radha e ekipeve mbrojtëse për t’i paraqitur mocionet për rrëzimin e akuzave. Njohësit e procesit thonë se deri më tani është cenuar besueshmëria dhe integriteti i procesit, për të cilin presin të përfundojë në shkallën e parë në fillim të 2026-s.
Më 11 prill 2023 prokuroria nisi me dëshmitaren e parë të saj, e cila iu përgjigj pyetjeve me identitet të mbrojtur.
E disa në seancë private, disa publike, për dy vite, dëshmuan 125 dëshmitarë të prokurorisë. Por, këtë javë pritet që të përfundojë lista me emrat e propozuar për intervistim nga kjo palë.
“Siç ishte paralajmëruar edhe më parë, ZPS do të përfundojë me dëshmitë e dëshmitarëve në gjykatë këtë javë, ndërsa do ta përfundojë çështjen e saj deri më 15 prill. Numrin e dëshmitarëve që kanë dëshmuar deri më tani dhe atyre të cilave janë pranuar me shkrim, do ta bëjë të ditur kur të jenë të gatshme”, thonë në përgjigjen e ZPS-së për RTK.
E pas prokurorisë, radha do t’u vije palëve të tjera. Në një përgjigje për RTK-në, nga Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se pasi prokuroria ta ketë mbyllur çështjen e saj, ekipeve mbrojtëse do t’u jepet mundësia të kërkojnë rrëzimin e ndonjë akuze apo të gjitha akuzave ndaj klientëve të tyre.
“Nëse vendosin të bëjnë kërkesa të tilla, ekipet e mbrojtjes kanë njoftuar se do t’u nevojiten rreth katër javë për t’u përgatitur për këtë. Pasi gjykatësit të kenë vendosur për këto kërkesa, në qoftë se kanë, Mbrojtësi i Viktimave do të fillojë të paraqesë çështjen e tyre. Gjatë seancave të fundit, Mbrojtësi i Viktimave ka deklaruar se do të dëshironin të paraqisnin tre deri në katër dëshmitarë dhe se do t’u nevojiteshin nga një deri në dy javë për të paraqitur çështjen e tyre. Nëse Trupi Gjykues hedh poshtë plotësisht ose pjesërisht kërkesat e ekipeve mbrojtëse, atyre do t’u jepet kohë për t’u përgatitur për çështjen e tyre përkatëse. Ata kanë deklaruar se do t’u nevojiten rreth 10 javë pune për ta bërë këtë. Pasi të jenë përgatitur, ekipet e mbrojtjes do të fillojnë të paraqesin çështjet e tyre”, thonë nga Specialja.
Sipas Dhomave të Specializuara, është me rëndësi të theksohet se i takon Trupit Gjykues të vendosë për afatet kohore që do t’u jepen palëve për t’u përgatitur për çështjet dhe parashtrimet e tyre.
Sipas Ehat Miftarajt të Institutit të Kosovës për Drejtësi, mënyra se si janë marrë në pyetje dëshmitarët e Prokurorisë, e cenon në njëfarë mënyre besueshmërinë dhe integritetin e këtij procesi.
“Nëse mbrojtja do të kërkojë kohë shtesë ose i duhet kohë shtesë për tu përgatitu për marrjen në pyetje të dëshmitarëve të tyre, varet mbrojtja sa do të jetë numri dëshmitarëve që do të propozojnë, pastaj mbrojtësit e viktimave sa do të kërkojnë kohë, sa viktima të krimit do ti marrin në pyetje, po besoj me një ritëm, me një efikasitet më të mirë se sa ka qenë deri më tani mund të themi që fillimi i vitit të ardhshëm mund të përfundoj me një vendim të shkallës së parë”, tha ai.
Ndërsa, sipas avokatit Ardian Bajraktari, mbrojtja e të akuzuarve ka qenë argumentuese në pyetjet e saja për dëshmitarët.
“Vlerësoj se pala mbrojtëse mjaftueshëm ka qenë argumentuese dhe profesionale me theks të veçantë me atë që njihet si njihet si ndërmarrje e përbashkët kriminale e cila tashmë ka mbet si njëra prej elementeve kyçe të aktakuzës me çka është vërtetu edhe në procese tjera gjyqësore se UCK ka qenë guerile, e suksesshme dhe asaj i janë bashku kushdo që ka pas guxim, vullnet dhe synim kryesor ka qenë çlirimi i vendit dhe assesi veprimet të cilat parashihen në aktakuzë”, tha Ardian Bajraktari, avokat.
Seanca e radhës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit do të mbahet të martën.